TIRANË

Për Partinë Agrare Ambjentaliste, paketa e tretë e ndihmës është detyrim ligjor, por qeveria nuk e ofron sepse rritja e deficitit nga paketat do të kërkojë shkurtim të investimeve për partneritetet publike private preferenciale për oligarkët.

“Rama në mënyrë arrogante, fodulle dhe me një krenari cinike deklaron se nuk do të ketë paketë të tretë. Kjo do të thotë se të papunët, të varfërit dhe bizneset do të braktisen në nivelet kritike të mbijetesës dhe të braktisjes së vendit. Ky qëndrim i Ramës është jo vetëm pa përgjegjshmëri njerëzore por edhe provë e qartë se Rama është një manekinë në duart e oligarkëve. “ thuhet në deklaratën e PAA.

Deklarata e plotë:

Protestat paqësore për paketat e solidaritetit social duhet të jenë të fuqishme dhe kudo në Shqipëri.

Paketa e tretë është detyrim ligjor. Rama nuk e ofron paketën e tretë apo të katërt sepse rritja e deficitit nga paketat do të kërkojë shkurtim të investimeve për partneritetet publike private preferenciale për oligarkët.

Rama është vegël në duar të hajdutëve të parave dhe shpresës së shqiptarëve.

Gjithë institucionet ndërkombëtare si FMN, BERZH, BB dhe BSH tregojnë se rënia ekonomike do të jetë më e madhe, çka nënkupton më shumë të papunë dhe të varfër dhe borxhe në rritje.

Rama në mënyrë arrogante, fodulle dhe me një krenari cinike deklaron se nuk do të ketë paketë të tretë. Kjo do të thotë se të papunët, të varfërit dhe bizneset do të braktisen në nivelet kritike të mbijetesës dhe të braktisjes së vendit.

Ky qëndrim i Ramës është jo vetëm pa përgjegjshmëri njerëzore por edhe provë e qartë se Rama është një manekinë në duart e oligarkëve.

Rama e ka të qartë se paketat në ndihmë të të papunëve, të varfërve dhe biznesit do ta rrisin borxhin, kjo do të imponojë shkurtimin e financimeve për ppp-të që janë përzgjedhur nën përfitimet korruptive dhe kapjes së shtetit.

PAA bën thirrje publike që shqiptarët me protesta paqësore ta detyrojnë kryeministrin kukull të oligarkëve, i pa përgjegjshëm, arrogant dhe i babëzitur të miratojë me prioritet dhe pa vonesë paketat ndihmëse për të papunët, të varfërit dhe bizneset që mezi mbijetojnë nën efektet varfëruese të pasojave të tërmetit, të pandemisë por sidomos të pasojave deri kriminale të qeverisjes rrumpallë të Ramës.

Sot më shumë se kurrë çdo shqiptar meriton mbështetje dinjitoze për ta kapërcyer këtë krizë kaq vrastare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: