Partia Agrare Ambientaliste reagon për grevën e naftëtarëve të Ballshit, teksa përmes një deklarate për shtyp i bën thirrje kryeministrit Edi Rama “të gjejë kush nga qeveria e tij i ndihmoi oligarkët që vodhën 8 milion euro paga dhe sigurime shoqërore të naftëtarëve?”

Sipas PAA, naftëtarët janë në të drejtën e tyre të plotë, sepse e drejta e tyre është korrekte në një shtet ligjor, ku mashtrimet e kompanive me mos-pagimin e pagave dhe sigurimeve shoqërore dhe parandalimin e abuzimit të tyre me punonjësit e bën shteti.

Deklarata e PAA:

Vetëm dështakët dhe neo-diktatorët i urrejnë sindikatat, grevat dhe protestat, të cilat në vendet demokratike janë pjesë të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe kundër të korruptuarve dhe oligarkëve.
Si ka mundësi që për disa vite naftëtarët janë përdorur si skllevër të pronarëve jo sipërfaqësorë të rafinerisë? Kryeminstri nuk duhet të fshehë më se kush abuzoi me pagat dhe sigurimet shoqërore të naftëtarëve.
Kush nuk ka bërë detyrën shtetërore për ndaljen e mos-pagimit të sigurimeve shoqërore dhe taksave? Edhe një individ gjobitet kur nuk paguan sigurimet shoqërore në datën e caktuar, këta hajdutë me pushtet kush i toleroi për disa vite me radhë?
Përgjegjësia e institucioneve shtetërore ka emra konkretë dhe përgjegjësi ligjore konkrete të shpërdorimit të detyrës me veprim ose mos-veprim. Kush ka ushtruar presion ndaj punonjësve të tatimeve dhe sigurimeve shoqërore që të “toleronin” mos-pagimin e detyrimeve ndaj naftëtarëve?
Ja pse naftëtarët nuk duhet të presin mëshirën e Kryeministrit. Kryeminsitri nuk duhet të vazhdojë të fshehë dhe mbrojë hajdutët e vërtetë të djersës dhe gjakut të naftëtarëve. E vërteta vonon por del. Por kjo vonesë e përgjegjësisë ligjore po vret disa qindra familje të naftëtarëve dhe jo vetëm të tyre.
Kudo në botë protestohet për të drejtat e tyre. Greva është një e drejtë demokratike në vendet europiane, ndërsa në Shqipërinë e Ramës së qeverisur si një republikë banane, greva quhet presion. Kryeministri i urren sindikatat dhe protestat, kjo tregon pashpirtësinë e tij dhe fytyrën e vërtetë anti-sociale, arrogante dhe përҫmuese.

Naftëtarët janë në të drejtën e tyre të plotë sepse e drejta e tyre është korrekte në një shtet ligjor, ku mashtrimet e kompanive me mos-pagimin e pagave dhe sigurimeve shoqërore dhe parandalimin e abuzimit të tyre me punonjësit e bën shteti. Kjo është detyrë funksionale e tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb