Pacientët me kancer duhet të kenë përparësi në planin e vaksinimit kundër koronavirusit të ri (COVID-19) pasi janë në grupin e rrezikut më të lartë, tha sot mjeku turk, dr. Yavuz Anacak.

“Fatalitetet për shkak të COVID-19 midis pacientëve me kancer janë më të larta se në të gjitha grupet e tjera. Pacientët me kancer, të cilët janë në grupin më të lartë të rrezikut për virusin, duhet të kenë përparësi në kalendarin e vaksinimit”, tha Anacak, kreu i Shoqatës Turke të Onkologjisë së Rrezatimit, në një deklaratë para Ditës Botërore të Kancerit.

Ai u kërkoi të gjithë autoriteteve të vendosin prioritet pacientët me kancer në planin e vaksinimit.

Duke nënvizuar se kanceri është shkaku i dytë kryesor i vdekjeve në mbarë botën, ai tha se 18 milionë njerëz diagnostikohen me kancer çdo vit dhe gati 10 milionë njerëz vdesin për shkak të kancerit në botë.

“Ata pacientë që kontraktojnë virusin po luftojnë për të kapërcyer si kancerin ashtu edhe COVID-19”, tha ai, duke shtuar se dobësimi i imunitetit të shkaktuar nga kanceri, operacionet e rënda kirurgjikale, radioterapia dhe proceset e kimioterapisë gjithashtu ndikojnë negativisht tek njerëzit e diagnostikuar me COVID-19.

Turqia filloi fushatën e vaksinimit masiv për COVID-19 më 14 janar, duke filluar me punonjës të kujdesit shëndetësor së bashku me zyrtarë të lartë për të inkurajuar besimin e publikut.

Që nga fillimi i dhjetorit, Turqia po ashtu ka zbatuar orë policore gjatë mbrëmjeve dhe fundjavat për të frenuar përhapjen e virusit.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb