Eurodeputetja Doris Pack shpreh habinë për kontingjentin e deputetëve me të dhëna kriminale në Shqipëri. Ajo deklaroi për “ABC” se rastet e deputetëve të inkriminuar kanë peshë të madhe në ndërtimin e një imazhi negativ për Shqipërinë në botë.

“Nuk e konceptoj se si ata që qeverisin vendin nuk e kuptojnë që kjo përcjell një imazh të tmerrshëm për vendin. Të gjithë e shohin, të gjithë flasin për këtë, por as Rama dhe as Meta nuk e marrin seriozisht. Ndoshta jam e gabuar, por nuk besoj, sepse informohem rregullisht dhe lexoj përditë përmbledhjen e shtypit shqiptar. Klasa politike në Shqipëri duhet pastruar. Nëse përcillet një imazh kaq negativ, njerëzit nuk durojnë më dhe braktisin vendin”, deklaroi Pack.

Ajo e sheh arsyen e emigrimeve masive nga Shqipëria vetëm në situatën e rënduar politike në vend.

“Nuk e kuptoj pse kemi kaq shumë shqiptarë që braktisin vendin?! Nëse do të isha në vendin e Ramës, do të pyesja pse ndodh kjo. Pashë shifrat e azikërkuesve shqiptarë në muajin shtator në Gjermani dhe janë vërtet të pabesueshme. Ndoshta është një koiçidencë, por shtrohet pyetja, pse shqiptarët nuk iknin para se Shqipëria të ishte një vend kandidat dhe ikin tani që Shqipëria është një vend kandidat? Besoj, se ka një lidhje me situatën politike. Sot në shoqërinë shqiptare duhet vërtet të shtrojmë pyetjen nëse duhet të jesh kriminel për t’u bërë deputet”, u shpreh eurodeputetja Pack.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: