PRISHTINE- Rritja e numrit të njohjeve dhe anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare, mbetet një prej synimeve kryesore të Qeverisë aktuale, ngjashëm me ato parapraket.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli tha për Radion Evropa e Lirë se njohjet e reja për Kosovën janë një proces i pandalshëm. Ai tha se ka një angazhim të vazhdueshëm për të arritur rezultate konkrete.

“Praktikisht ne jemi duke punuar, të shtrirë në të gjitha anët e botë, në të gjitha kontinentet. Jemi duke punuar pandërprerë me gjithë potencialin që posedojmë. Besoj se rezultatet nuk do të mungojnë. Ne tani kemi pasur dy njohje këtë vit dhe besojmë se deri në fund të muajit do të kemi edhe një njohje tjetër. Njohjet nga shtetet e mëdha ku jemi duke punuar, nuk mund të them se mund të vijnë brenda një apo dy muajve, por janë shënjestrime të cilat duhet të ndodhin këtë vit”, tha Pacolli.

Ai tha po ashtu se si rezultat i punës dhe përpjekjeve intensive, shteti i Madagaskarit e ka njohur Kosovën në nëntor të vitit 2017, Guinea-Bissau e ka rikonfirmuar njohjen e saj dhe së fundmi, Kosovën shtet e ka njohur edhe Barbadosi.

“Ministria e Punëve të Jashtme ka dy detyra kryesore sa i takon lotimit: një është që të hapë dyer të reja dhe veprimi tjetër është që t’i mbajë dyert e hapura. Pra, ato dyer që janë hapur një herë, t’i mbajë hapur. Do të thotë të bëjë përpjekje që ato shtete qe nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë, kurse me ato që e kanë njohur të kultivohen marrëdhëniet”, tha Pacolli.

Nga ana tjetër, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare konsiderojnë se politika e jashtme e Kosovës, vazhdon të jetë e çakorduar dhe pa një strategji të qartë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb