Ish Presidenti Donald Trump po përballet me vështirësi në përpjekjet për t’u rikthyer në qendër të vëmendjes në Shtetet e Bashkuara. Padia e tij e fundit kundër kompanive Google, Facebook dhe Twitter vë në pah fuqinë e këtyre platformave për të kontrolluar mesazhin dixhital, edhe kur bëhet fjalë për udhëheqës botërorë.

Që kur u largua nga Shtëpia e Bardhë, ish Presidenti Donald Trump, i cili u bllokua nga Facebook, Twitter dhe Youtube, pas trazirave në Kapitol më 6 janar, po lufton për t’u rikthyer në qendër të vëmendjes. Ai provoi një blog, ndërsa aleatët e tij hapën dy faqe rrjetesh sociale.

Në fillim të muajit, ai ngriti padi ndaj kompanive të mëdha të rrjeteve sociale për kufizim të së drejtës për lirinë e fjalës. “Rasti ynë do të dëshmojë se kjo censurë është e paligjshme, antikushtetuese dhe plotësisht jo-amerikane”, tha zoti Trump.

Ai nuk duket se e ka problem tërheqjen e publikut, veçanërisht në tubime. Por, sipas kompanisë SocialFlow postimet që përmendin zotin Trump dhe bisedat rreth tij në rrjete sociale kanë rënë me 90 për qind për periudhën nga janari në maj 2021.

“Mendoj se ai tani po e kupton humbjen që i shkaktoi mungesa e audiencës. Është gjë e madhe”, tha për Zërin e Amerikës Jim Anderson nga kompania SocialFlow.

Në gjithë botën, udhëheqësit po provojnë mënyra të ndryshme për të frenuar gjigantët e medias sociale. Qeveria nigeriane bllokoi Twitter-in pasi platforma fshiu një postim të Presidentit Buhari. Në Indi, aplikacioni i Facebook-ut, WhatsApp, paditi qeverinë për të ndaluar disa rregulla të reja të “mbikëqyrjes në masë”. Në Rusi, një ligj i ri u kërkon kompanive të rrjeve sociale, që të punësojnë staf lokal nëse duan të reklamojnë në vend.

Ndërsa udhëheqësit ndërmarrin vendime lidhur me fjalimet në internet bazuar në zhvillimet në vendet e tyre, disa të tjerë duket se po marrin parrasysh ndalimin që firmat e mediave sociale i bënë ish Presidentit Trump.

“Unë mendoj se ajo që i ndodhi Trumpit është një mësim për autokratët. Ajo që nuk është e qartë është se çfarë mësimi do të marrin ata. A do të shkojnë në drejtim të Kinës, duke u përpjekur të zhvillojnë mediat e tyre sociale, mbi të cilat kanë kontroll të plotë? Apo do të shkojnë në rrugën e Rusisë ku thonë, ‘Shikoni, ne e dimë që njerëzit do të vazhdojnë të shprehen në këto platforma ndërkombëtare. Le të sigurohemi që të kemi pak ndikim mbi to”, tha për Zërin e Amerikës Ethan Zuckerman, profesor në Universitetin e Masaçusetsit.

Ekspertët thonë se fuqia e gjigantëve të rrjeteve sociale për të kufizuar fjalën e një personi po pëcillet edhe me shumë pakënaqësi. Njohësit thonë se duhet të vendosen standarde botërore për fjalimet dixhitale dhe censurimin, në vend që kompanitë të kenë rregulla të ndryshme nga shteti në shtet.

“Unë mendoj se ndodhemi në një lloj rrrëmuje. Vendet tjera po e shikojnë Trumpin, por mendoj se ajo që do të ndodhë në vendet tjera do të ndikojë në atë që do të ndodhë edhe në ShBA”, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës Jillian York, drejtoreshë për lirinë e shprehjes në Fondacionin e Kufirit Elektronik.//VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb