TIRANE- Mbahet seanca e parë për çështjen gjyqësore mes ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe anëtares së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Reila Bozdo.

Kodheli paditi pak kohë më parë Bozdon për një deklaratë me akuza të bërë në drejtim të ministres. Sakaq, Kodheli ka kërkuar 50 mijë euro dëmshpërblim si dhe përgënjeshtrim të deklaratave.

Në një dalje publike nga selia e PD-së, Bozdo në emër të bluve pohoi se Ministria e Mbrojtjes i ka dhënë tenderin për vënien në punë të pajisjeve për sigurinë detare, një dyqani celularësh në Rrugën e Durrësit. Padia u regjistrua në Gjykatën e Shkallës së Parë më 1 dhjetor për “shkaktim dëmi”.

Në deklaratën e Bozdos thuhej se, “Kontrolli ka zbuluar se tenderin për blerje, furnizim, instalim dhe vënie në punë të Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare, Kodheli ia ka dhënë një dyqani celularësh në rrugën e Durrësit. Pra dyqani i përzgjedhur i Kodhelit në rrugën e Durrësit do të monitorojë hapësirën detare, dhe po flasim pikërisht për rrugët nga ku kalon trafiku i drogës.
Me një rrugë, dy punë bën Mimi. E para ndan 850 milionë lekë me dyqanin e celularëve në rrugën e Durrësit, e dyta garanton rrugët detare të trafikut të drogës. Dëmet ekonomike janë në qindra milionë lekë, dhe procedura është nëpërkëmbur sipas nevojave të Mimit. Kush kishte menduar se të paktën në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare këta nuk do ta kalonin vijën e kuqe, e ka gabim”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: