TIRANË

Nga Farka, ku i dorëzoi dokumentet e pronësisë për shtëpitë e reja dy familjeve të prekura nga tërmeti, Veliaj iu referua padisë së djeshme të PD-së, ndërsa ironizoi kreun e PD, për të cilën tha se kërkon të mos lejojë të punojë as të tjerët.

Ai tha se Basha nuk bëri asnjë punë kur ishte në detyrë, por vetëm shtoi vilat e tij edhe në kohë pandemie, ndaj nuk mund t’u kërkojë të tjerëve të mos punojnë sepse ai vetë do ende të flejë gjumë.

“Është si ato lojërat e fëmijëve, kur njëri nuk di të luajë, i vjen e ëma dhe u thotë të tjerëve lëreni ta prekë edhe ky topin. Mirë, po e lëmë ta prekë topin, po e lëmë edhe portën bosh, por u bënë 4-5 palë zgjedhje që ky del huq dhe nuk bën gol. Se ky nuk di të bëjë gol as me portën bosh! Meqë ky s’di, të tjerët nuk do luajnë hiç? Pra, nuk do punojë asnjë, meqë ky do të flejë gjumë?

Pra, në anën tjetër të kodrës (së Farkës), ku janë pasanikët, le t’i shtojnë vilat gjatë pandemisë duke vënë gjoba, kurse ana këtej e kodrës, që jetojnë në konteiner apo çadra, nuk duhet t’i bëjnë shtëpitë e reja? Një gjumash nuk mund ta kthejë gjumin në sport kombëtar! Një i paaftë nuk mund ta kthejë paaftësinë në detyrim për të gjithë!

Një përtac nuk mund ta kthejë përtacinë në modë për ne të tjerët që na hanë duart për punë! Ky fëmijë i parritur dhe gjumash, që nuk di të bëjë gol, që nuk di as të luajë e as të punojë, është problemi i tyre, nuk është problemi ynë! Nuk mund ta detyrojmë Shqipërinë të zbatojë standardin e gjumit dhe përtacisë, apo të pasurimit në kohë pandemie”, deklaroi  sot Veliaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb