Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, reagoi për akuzat e opozitës mbi tenderin e ushqimeve të Rezervave të Shtetit, duke thënë në emisionin “Real Story”, në News24, se tenderi i është dhënë një kompanie që zotërohet nga shqiptarë.

Duke u ndalur te padia e PD për këtë çështje, ministrja theksoi se është e lumtur që çështja tashmë ndodhet në SPAK dhe se pret me padurim që drejtësia të zbardhë të vërtetën.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Akuzat e opozitës për tenderin e ushqimeve, pse iu dha një kompanie, e cila nuk merrej me tregtinë ushqimore?
Xhaçka: Nuk është e vërtetë që kompania merrej me kompjutera, por është filial i një grupi kompanish të zotëruar nga shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, që merren edhe me marketing, treginë e mallrave të ndryshme. Kompania ka vërtetuar përmes faturave të viteve të fundit që ka tejkaluar kërkesat ligjore për të bërë ofertë për këtë prokurim. Ministri nuk është asnjëherë specialist i prokurimeve, por si institucion nën akuzë, di të them se asnjë nga akuzat e opozitës nuk është e vërtetë. Kam e kënaqur që ata e kanë çuar çështjen te SPAK, dhe mezi pres ditën që ajo të sqarohet. Di të them se është procedurë e bërë në mënyrën më rigoroze conform ligjit, siç ka bërë dhe vetë PD, kur ka pasur emergjenca. Rasti konkret ka qenë 2010, dhe ka qenë vetë Basha që e ka bërë një procedurë të tillë.

Pyetje: Po pse në këtë moment kur u bllokuan kufijtë e merr tenderin një kompani përtej kufijve?
Xhaçka: Është një firmë shqiptare, filial i holdingut maqedonas. Në tregtinë e lirë nuk thotë njeri pse këta e pse ata. Ne iu kemi bërë kërkesë pesë operatorëve, që nuk arrinin të ofertonin, për arsye se procedura emergjente do të thotë që duhet të përmbushësh kriteret për një kohë të shkurtër. Kjo kompani ka ofertuar me një çmim më të ulët se çmimet e parakrizës dhe kontrata është lidhur për 850 mijë euro, duke përmbushur dhe kontratën në kohën rekord të kërkuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb