Ndërsa Gjykata Kushtetuese vendosi dy ditë më parë të pranojë pjesërisht kërkesën e Partisë Republikane, që të mos ndalen tubimet elektorale, Komiteti Teknik i Ekspertëve shkel afatet e vendosura prej kësaj Gjykate.

Në vendimin e datës 9 mars, Kushtetuesja vendosi Pranimin pjesërisht të kërkesës dhe shfuqizimin e shprehjes “deri në një urdhër të dytë”, nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë si dhe detyrimin e organit kompetent të rishikojë kohëzgjatjen e kufizimeve, brenda një jave nga shpallja e këtij vendimi. Por ndërsa Kushtetuesja i la një javë afat Komitetit Teknik, pra deri në datë 16 mars, në mbledhjen e sotme zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli tha se Komiteti e sheh të arsyeshme t’i përgjigjet pas dy javësh, pra më 26 mars, kohë kjo përkon me nisjen e fushatës për zgjedhjet e 25 prillit.

“Komiteti Teknik i Eksperteve mori sot në shqyrtim edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila na sugjeronte që të vendosnim një afat për masën që kemi propozuar në lidhje me numrin e grumbullimeve. Komiteti i ekspertëve e quan të arsyeshme dhe pas 2 javësh do vlerësohet dhe kjo si dhe masat e tjera”, tha Rakacolli.

Kreu i PR, Fatmir Mediu deklaroi gjatë dorëzimit të padisë se kryeministri Rama po tentonte të karantinonte opozitën, në një kohë që i ka lejuar vetes dhe përmes vlerësimeve të komitetit, që Parlamenti të mblidhet, qeveria apo dhe pushteti lokal të bëjë aktivitete mbi 10 veta dhe kufizon opozitën. E ndërsa për Mediun kjo është një “situatë e papranueshme dhe anti-ligjore, Komiteti Teknik i ekspertëve guxon të dalë mbi vendimin e gjykatës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb