TIRANË– Dy deputetët e Partisë Demokratike, Edi Paloka dhe Arben Ristani janë dënuar sot nga Gjykata e Lartë për shpifje, ndaj kryeministrit të vendit Edi Rama.

Gjykata e Lartë i ka dënuar deputetët e djathtë me 200 mijë lekë të reja gjobë. Ndërsa për akuzën e fyerjes, ata janë shpallur të pafajshëm.

Gjatë fjalës së tij, Paloka u mundua ta kuptonte gjykatën duke thënë se ajo është vënë nën presion, ndërsa nuk nguroi të thoshte se nuk i hiqte asnjë presje deklaratave të tij për kryeministrin.

“Ai është denoncuar dhe njihet si përdorues i drogave të rënda si dhe tabulatet e telefonike. Nuk u pranuan nga gjykata, nuk do ta vija në akuzë se e kuptoj situatën ku ata gjenden, një situatë presioni dhe alarmi…Nuk e prisja vendimin, shpresoja që Gjykata e Lartë nuk do vihej nën presion. Kjo gjobë mua do më rëndojë, por këtu nuk bëhet fjalë për lekë, por për moral. Unë them me bindje se gjithçka është thënë është e vërtetë, madje dhe më shumë”,-tha Paloka pas vendimit të gjykatës.

AVOKATJA E RAMËS: TË LUMTUR PËR VENDIMIN, KËRKESA JONË PËR FYERJE E SHARJE INDIVIDUALE
Përfaqësuesja ligjore e kryeministrit Edi Rama, Enkelejda Muca ka mbështetur vendim e gjykatës së Lartë. Gjatë një deklarate për mediat, Muca theksoi se padia e klientit të saj ndaj deputetit Edi Paloka kishte të bënte me akuzat për fyerje dhe shpifje individuale, dhe jo për shkak të detyrës.

“Mendojmë se vendimi do sjellë një orientim të ri. Jemi të lumtur për vendimin e gjykatës, ndaj ai do zbatohet”, tha Muca.

RAMA: GJYKATA PROVOI SHPIFJEN, DY SHKRETANET JETOJNË ME PËRSHESHIN E POLITIKËS SË ULËT
Kreu i qeverise, Edi Rama e ka quajtur lajm të mirë vendimin e sotëm të Gjykatës së Lartë për dënimin me gjobe të Palokës dhe Ristanit.

“Dënimi sot nga Gjykata e Lartë i dy shpifësve profesionistë të cilët, për shkak të aftësisë së tyre të spikatur profesionale në fushën e shpifjes, janë zgjedhur përkatësisht si kryetar grupi e sekretar i përgjithshëm i PD, është një lajm i mirë për 3 arsye: Së pari, sepse opinioni publik mësoi nga një palë e tretë, pra nga Gjykata e Lartë e vendit, që akuzat e bëra ndaj meje nga këta zanatçinj të baltës politike, për medemek lidhje me krimin e me kriminele me damke, janë shpifje dhe asgjë tjetër. Se dyti, sepse kjo loje e ulet qe e ka bërë shpesh politikën një neveri të vërtetë dhe i ka kthyer rëndom politikanët në lolo në sytë e qytetareve, nga sot nuk është më e pandëshkueshme. Kush shpif siç bënë dy të dënuarit e sotëm, duhet të llogarisë mirë përballjen me ligjin. Dhe se treti, dy dënimet e sotme janë një lajm i mirë sepse nxjerrin edhe me qartë në pah nevojën për kriminalizimin e shpifjes si mjet lufte politike. Kjo e fundit do të thotë që speciet politike të cilat ushqehen duke shpifur për të tjerët dhe madje arrinë të ngjiten deri në tempullin e parlamentit, nuk mjafton të shpallen fajtore thjesht për kundravajtje penale kur shpifin; ato duhet të dënohen për krimin penal te shpifjes siç ndodh ne vende shume me te zhvilluara se Shqipëria.”, tha Rama.

Nga ana tjetër, kreu i Qeverisë theksoi se kjo beteje nuk mbaron sot dhe as me dy gjyqe. “Sepse kjo nuk është një beteje ligjore me dy shkretane që jetojnë me përsheshin e politikës së llojit më të ulet, por është një beteje kulturore kundër vetë politikës së këtij lloji! E cila ka ndotur si mos me keq çdo rruge te komunikimit publik e qytetar ne Shqipëri për 25 vjet rresht dhe është bere shembulli me i turpshëm i komunikimit për rininë e këtij vendi.”, pohoi kryeministri.
(ma.ar/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: