Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, hodhi akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama se ka qenë ideator dhe ka lobuar për ndarjen e Kosovës.

I ftuar në “Open”, Haradinaj tha se Rama ka lobuar në media dhe me aktorë të tjerë pro ndarjes dhe se madje këtë bisedë e ka bërë edhe në tavaolinë ku ka qenë i pranishëm edhe vetë Haradinaj.

Kryeministri në detyrë i Kosovës e konsideroi padinë e Ramës për shpifje, ndërsa e akuzoi po ashtu se ka sharë lidera kosovarë në takime me ndërkombëtarët.

“U kërkoj falje popullit shqiptar. Padia e Ramës është një akt i turpshëm. Ai ka qenë ideator dhe ka lobuar për ndarjen e Kosovës.

Po ai ka qenë pro ndarjes. E ka thënë qartë në një emission që pro ndarjes ka qenë edhe presidenti Rugova. Ai ka lobuar në media, dhe me aktorë të tjerë në biseda me të huaj. Madje këtë bisedë e ka bërë edhe në tavolina ku unë kam qenë prezent.

Nuk e di pse bën këtë tallje dhe hajgare ndaj meje. Unë kam vuajtur, familja ime ka vuajtur për të mbrojtur kombin. Ndërsa kryeministri me marre dhe paftyrsi bëri padinë i cili është akt i turpshëm.

Më lejoni tju them diçka. A ju duket mirë ju që Rama në takime me ndërkombëtarët ka sharë lidera kosovarë duke quajtur njërin gënjeshtar, njërin hipokrit dhe njërin neo-marksist. Ju duket mirë që Rama shan liderat e Kosovës”, tha Haradinaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb