Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar pas padise ndaj KLP-së ku e akuzon se në shkelje flagrante i ka hapur rrugën për në SPAK prokurorit Alfred Shehu që sipas tij i shërbeu bandave dhe Taulant Ballës në zgjedhje, duke u kapur në flagrancë duke mashtruar.

Alfred Shehu ishte prokurori që hetoi vrasjen e Pjerin Xhuvanit përpara zgjedhjeve të përgjithshme ndërsa më pas kaloi vetingun dhe u përzgjodh në Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Sonila Muhametaj, që ishte një nga tre kandidatet për dy vendet e lira në SPAK paditi KLP-në për mënyrën e renditjes dhe përzgjedhjes së Alfred Shehut dhe Elvin Gokajt.

Duke shtuar disa pyetje, Bardhi shkruan se përgjigja e këtyre pyetjeve nga drejtësia do të ndajë qartë nëse sistemi i ri i drejtësisë do t’u përkasë përfundimisht pushtetit dhe bandave, apo miliona euro dhe dollarë u shpenzuan që sistemi t’u shërbejë qytetarëve.

“Sistemi i drejtësisë është vënë në provë nga brenda vetes. KLP është paditur për manipulim dhe si shtojcë e Partisë Socialiste. Në shkelje flagrante të ligjit, KLP i ka hapur rrugën për në SPAK prokurorit Alfred Shehu që i shërbeu bandave dhe Taulant Ballës në zgjedhje, duke u kapur në flagrancë duke mashtruar.

Pyetja që e bën sot çdo shqiptar është:

?A do të lejojë gjykata një SPAK të kapur nga Edi Rama dhe shërbëtorët e tij si Taulant Balla?

?A do të lejojë gjykata që të bëhet pjesë e SPAK prokurori famëkeq, Alfred Shehu?

?Si mund të jetë i denjë për të hetuar krimin e organizuar dhe korrupsionin një prokuror që gënjeu hapur dhe publikisht për ti shërbyer bandave dhe korrupsionit qeveritar?

Përgjigja e këtyre pyetjeve nga drejtësia do të ndajë qartë nëse sistemi i ri i drejtësisë do t’u përkasë përfundimisht pushtetit dhe bandave, apo miliona euro dhe dollarë u shpenzuan që sistemi t’u shërbejë qytetarëve.”- shkruan ai.

 

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: