TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta dëshmon në Prokurorinë e Tiranës për kreun e KED Ardian Dvorani. Në orën 12:09 Presidenti ka mbërritur në Prokurori për të dhënë dëshminë e tij, i shoqëruar nga këshilltari i tij ligjor Bledar Dervishi.


Gazetarja Klodiana Lala duke iu referuar burimeve pranë organit të akuzës, raportoi për “BalkanWeb” se Presidenti Meta pritet të shpjegojë para prokurorëve faktin penal të pretenduar në kallëzimin e bërë prej tij ndaj Dvoranit. Mësohet se Prokurori i çështjes është Alket Mersini.


Më 19 nëntor Kreu i Shtetit nënshkroi kallëzimin penal për ‘shpërdorim detyre’ ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani duke e cilësuar këtë padi si një mundësi historike për Reformën në drejtësi.


Padia e Presidentit u dorëzua në Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Meta u përplas me Dvoranin për procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, teksa tha se përzgjedhja u bë në mënyrë mafioze, duke e cilësuar kreun e KED një ushtar të verbër të partisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb