TIRANË- Është shtyrë sërish sot gjykimi i padisë së ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri ndaj Kreut të Grupit Parlamentar të PD-së Edi Paloka, në Gjykatën e Lartë.

Shkak për shtyrjen e seancës është bërë mungesa e Edi Palokës.

Mësohet se sot të dy politikanët do i nënshtroheshin një seance pajtimi në Gjykatën e lartë, por mungesa e Palokës ka bërë që edhe ajo të shtyhet.

Ministri Saimir Tahiri ka deklarur se pajtimi do ishte i mundur vetëm nëse deputeti i djathtë do t’i kërkonte falje publike.

Seancën e kaluar Tahiri i bëri thirrje Palokës të vijë në gjyq, ndërkohë që tha se është detyrë për të dhe çdo politikan të japë kontribut për drejtësinë, që ajo të funksionojë, ndërkohë që e ftoi Palokën të vërtetojë akuzat e tij.

Pyetje: Nuk pranuat të pajtoheshit, me kushtin që Paloka duhet të kërkojë falje publike, z. Paloka nuk ishte në seancë, por avokati i tij deklaroi se i qëndron akuzave. A keni ndonjë koment?
Ministri Tahiri: Është normale, që për ekonomi gjyqësore të mos vazhdonim këtë proces në rast se z.Paloka do kërkonte ndjesë publike dhe do pranonte që ka shpifur. Me sa kuptoj, instikti politik për të vazhduar këtë lloj dalldie me këto shpifje, është më i madh sesa instikti për të bërë drejtësi. Dhe në këto kushte, unë besoj që i vetmi pajtim është ai që do të bëjë gjykata. Gjithsesi unë nuk arrij të kuptoj se si një deputet, Kryetar i grupit parlamentar të Partisë më të madhe në opozitë, ka kohë të dalë ditë për ditë në konferenca për shtyp, dhe nuk ka kohë të paraqitet vetë në gjyq, dhe të përballet me të vërtetat që ai pretendon se di, apo të përballet me të vërtetat që unë pretendojë se janë të vërteta absolute dhe ekskluzive. Kështu që besoj kjo është gjithsesi një shenjë injorimi ndaj sistemit gjyqësor dhe ndaj praktikës që duhet të ndërtojmë të gjithë bashkë për ta nxjerrë përfundimisht politikën nga ditët e llumit dhe ditët e vrerit dhe për ta futur në shinat e të vërtetës që duhet të ndajmë bashkërisht përballë publikut.

Pyetje: Z. Tahiri, ju jeni në ruajtje 24 orë në ditë, ju dhe familja juaj. A ndihet i kërcënuar Ministri i Brendshëm?
Ministri Tahiri: Jo aspak. Drejtësia do të bëjë punën e vet. Unë vazhdoj detyrën time pa asnjë shqetësim.

Padia e Tahirit lidhet me akuzat e bëra nga Paloka se ministri ka lidhje me krimin e bandat në vend. Seanca e rradhës është caktuar në datën 15 qershor.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: