TIRANË

Kreu i grupit parlamentar demokrat Myslim Murrizi ka qenë sonte i ftuar në emisionin “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço në News24 ku ka folur për padinë e bërë gati një vit më parë për tenderin e uniformave nga Ministria e Brendshme.

I pyetur nëse kishte besim se do të vinte kjo ditë me arrestime nga SPAK, Murrizi tha se kishte besim që SPAK do merrej me abuzimet, por kërkoi që të ngrihet niveli i personave nën akuzë dhe të mos ketë dy standarde.

“Po të mos besoja nuk do ta dorëzoja. Nuk është se kam qenë optimist i madh se SPAK do të zgjidhë me shkop magjik plagën që është mahis në këtë vend korrupsionin. Por kam pasur besim që kjo strukturë e re e financuar nga amerikanët, ditën që do të plotësohej me prokurorë do të fillonte hetimin me OPGJ dhe të BKH, do të merrej seriozisht dhe nën presionin e ndërkombëtarëve me abuzimet. Por që të merret me abuzimet duhet të ketë material konkret. Nuk jam nga ata që bëjnë shoë për mediat dhe pastaj pres se kush do më rrahë xhepin. Në të drejtën time në opozitë, kam bërë atë të cilën e kam gjykuar brenda karakterit tim një mision i fisshëm për të denoncuar dhe publikisht dhe materialet konkrete që më kanë rënë në dorë t’i dorëzoj. Kam pasur besim se kjo strukturë do merrej.
Nuk është kohë e largët, ende pa u mbushur 1 vit. Në 3 shtator është protokolluar. Janë dashur hetime, një pjesë e mirë e këtyre ustallarëve kanë qenë në përgjime deri për të shkuar në gjykatë. Shpresoj shumë që ta ngrejë pak stekën SPAK sepse njeriu që merrej drejtpërdrejt me tenderët është funksionari më i lartë i administratës publike në shtet është sekretari i përgjithshëm. SPAK në të drejtën e tij do shikojë deri ku shkon ky abuzim. Është 10-11 mln euro abuzim duke iu referuar çmimeve të tregut. Duhet thirrur dhe fituesi i tenderit, të mos ketë dy standarde. Nëse në Lushnjë administratori i kompanisë u arrestua, atëherë firma duhet të thirret si qysh tek, ka qenë sepse dhe ai di diçka, jo pak. Sepse në fund të fundit është darovitësi”, deklaroi Murrizi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb