TIRANË- Deputeti i Shkodrës, i përjashtuar tashmë nga Partia Socialiste, Tom Doshi, kërkon 1 lek dëmshpërblim nga kreu i komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho. Ky i fundit, e ka akuzuar Doshin publikisht se ka falsifikuar raportin mjekësor të dorëzuar në Kuvend, në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve, që shërbeu për shtyrjen e mbledhjes.

Një ditë më parë, deputeti Tom Doshi depozitoi një kallëzim penal ndaj Brahos, me akuzën e shpifjes. Doshi pretendon se Braho shpifi në konferencën e datës 25 mars, ku tha se raporti mjekësor i dorëzuar nga Tom Doshi ishte i falsifikuar. Padinë e dorëzuan një ditë më parë në Gjykatën e Lartë avokatët e Doshit, pasi deputeti tashmë ndodhet në arrest shtëpie me vendim gjykate. Për këtë padi Gjykata e Lartë me short ka caktuar Kolegjin Penal të përbërë nga relator Artan Zeneli dhe anëtarët Medi Bici, Arjana Fullani, Mirela Fana, Andi Çeliku.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb