Sa herë përmendet futbolli nuk mund të mos shkojë në mendje shumat marramendëse që përfitojnë disa futbollistë dhe jeta luksoze që ata bëjnë. Mirëpo sipas një raporti të përgatitur nga “Fifpro”, “Fifpro Global Employment Report”, tregon se ky përfytyrim është shumë i gabuar sepse ka një numër të madh çështjesh të ngritura nga futbollistët ku shihet qartë se as standardet elementare të punësimit nuk plotësohen. 41% e lojtarëve kanë hasur vonesa rrogash në dy sezonet e fundit teksa ata përfitojnë ndërmjet 900 € dhe 1,800 €. Rreth 14,000 futbollistë që luajnë në 54 shtete evropiane, në kontinente amerikane dhe Afrikë kanë plotësuar sondazhin. “Ky sondazh tregon realitetin e industrisë së futbollit, e cila është komplet ndryshe nga ajo që mendojnë shumica e tifozëve,” shprehet Theo Seggelen, sekretari i përgjithshëm i Fifpro.

“Kjo tregon se jo të gjithë futbollistët kanë tre makina të ndryshme me tre ngjyra të ndryshme. Raportet sugjerojnë se kjo situatë duhet të ndryshojë menjëherë. Shpresoj që klubet ta kuptojnë se çfarë janë duke bërë dhe të ndihen fajtorë.” Raporti tregon se 78% e lojtarëve nuk paguhen në kohë, por brenda tre muajve të lejuara nga rregullorja e FIFA-s. “Sezonin e kaluar luajta 12 muaj në dy klube, dhe nuk jam paguar për nëntë muaj,” shprehet një lojtar anonim nga Rumania, ku 74% e lojtarëve kanë raportuar vonesa rrogash. “Klubi i parë tha se nuk kishte para. Në janar mora një ofertë nga një klub tjetër. Klubi i dytë u shpërbë pas gjashtë muajsh dhe nuk mora asnjë kacidhe. Prindërit më kanë blerë këpucët, ushqimin etj.”

FIfpro ka zbuluar shumë lojtarë që kanë probleme të tilla financiare. Mbi 6% e lojtarëve janë detyruar të stërviten veçmas grupit. Në shumicën e këtyre rasteve, klubet kanë qenë në kërkim të reduktimit të rrogave duke larguar lojtarë. 29% e lojtarëve janë detyruar të transferohen në klube të tjerë kundër dëshirës së tyre me presionin e menaxherëve apo një palë e tretë. Një tjetër fakt i çmendur është se 10% e 13,876 individëve janë kërcënuar nga tifozë, drejtuesit e klubit apo kolegë gjatë karrierës së tyre. Një shifër e lartë është vënë re në Skoci, ku 34% kanë raportuar akte dhune nga tifozët në ditën e ndeshjes.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb