TIRANË- Ndërsa Ministrja teknike e Arsimit, Mirela Karabina ka denoncuar sot mungesën e pagave për punonjësit e institucionit që ajo drejton ka ardhur edhe reagimi nga sekretari i Përgjithshëm i MAS, Plarent Ndreca.

Sipas ministres Karabina, në mënyrë të qëllimshme, institucioni është i bllokuar si pasojë e vonesës së miratimit të kërkesës zyrtare për emërimin e Nëpunësit Autorizues, kërkesë e përcjellë për miratim në datën 16 Qershor 2017.

Por nga ana tjetër Ndreca thotë se si nëpunës autorizues i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ka firmosur që dje urdhër pagesat për pagat e aparatit të MAS.

“Është e paimagjinueshme që drejtuesja e institucionit godet në mënyrë absurde institucionin e saj, duke dalë në konkluzione krejtësisht të pabazuara dhe që i përkasin një realiteti që nuk ekziston në Ministrinë e Arsimit dhe të Sportit.
Pagat e të gjithë sistemit arsimor janë firmosur rregullisht nga drejtoritë arsimore rajonale dhe kaluar nga sistemi i thesarit të Ministrisë së Financave.
Njëkohësisht nga unë si nëpunës autorizues i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit janë firmosur që dje urdhër pagesat për pagat e aparatit të MAS.
Pavarësisht pengesave, goditjeve të paligjshme dhe të padrejta që po i bëhen administratës publike në MAS, ajo është në detyrë dhe në mbrojtje të ligjit dhe interesave të qytetarëve të shqiptar”, deklaron Ndreca.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb