TIRANË

Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj foli sot në konferencë për mediat dhe për deklarimin e pagave në sektorin privat.

Ajo tha se ka një plan masash dhe se qeveria i ka bërë thirrje të gjitha bizneseve për vetëkorrigjim, duke i qëndruar parimit të vetëdeklarimit.

Por sipas saj, do të fillojnë një sërë analizash nga zyra dhe në muajin mars do ketë kontrolle.

“Ne i qëndrojmë fortë politikës së ndërgjegjësimit dhe nxitjes së vetëdeklarimit të bizneseve. Kanë pasur një efekt të konsiderueshëm.

Tashmë ne kemi bërë një plan masash i cili do të ndiqet nga disa institucione dhe jo vetëm Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe do të drejtohet nga Ministria e Financave i cili pas datës 20, pas thirrjes që qeveria i ka bërë të gjitha bizneseve për vetëkorrigjim duke i qëndruar fort parimit të vetëdeklarimit ne do të fillojmë një sërë analizash për ato subjekte që nuk kanë reaguar në korrigjimin e pagave të tyre dhe nëpërmjet një ekipi, një njësie speciale e cila do të merret vetëm me çështjen e pagave, do të bëjmë këto analiza, do të bëjmë disa kontrolle nga zyra me qëllim që t’i shkojmë më thellë këtyre analizave. Do të përdorim gjithë databazat e mundshme që kemi në dispozicion me qëllim që të kuptojmë të vërtetën për deklarimin e pagave dhe sigurisht që do të vijojmë me kontrolle të thelluara duke përdorur gjithë instrumentet që administrata shtetërore ka për kontrollet e bizneseve. Plani sigurisht që do të jetë i shtrirë gjatë gjithë vitit, pra nuk ka një afat përfundimi, por këto kontrolle do të fillojnë që pas muajit shkurt. Muaji shkurt do ketë analiza të thelluara nga zyrat dhe gjatë muajit mars do fillojmë me kontrollet”, deklaroi Ibrahimaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb