Nga: Ornela Manjani*

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së energjinë ndan në pesë nëngrupe bizneset që kanë fatura energjie të papaguara. Burime zyrtare nga OSHEE bëjnë të ditur se janë të paktën 5 kategori privatësh që trajtohen në skemën e re, në varësi të linjës së furnizimit me energji elektrike, duke nisur nga biznesi i natyrës industri, pastaj subjektet e mëdha, të voglat, ato të sektorit bujqësor, etj. Skema lehtësuese, e cila ka nisur të zbatohet më 2 mars, shtrihet deri në vitin 2017, pra sipas kategorive, ku i pari që duhet të likuidojë detyrimin ndaj OSHEE-së është biznesi industri, i cili duhet ta likuidojë të gjithë debinë brenda vitit 2015, me 6 këste. E veçanta e kësaj skeme është se këstet mund të paguhen edhe në sportelet alternative, si te pikat e transfertave të parave, në banka apo përmes celularit. Madje biznesi, me teknologjinë dhe infrastrukturën që ka, mund t’i shlyejë këto detyrime pa qenë nevoja të shkojë në sportele, por ta realizojë në distancë, nga zyra dhe pa humbur kohë.
Afatet
Kur kanë mbetur edhe dy javë nga mbyllja e skemës lehtësuese e pagesës me këste për familjet debitore ndaj OSHEE-së, kompania ka nisur një tjetër proces, tashmë me bizneset që kanë detyrime të papaguara. Në fillim të muajit mars, shoqëria mori autorizim nga Këshilli Mbikëqyrës i saj për të nisur një fushatë të re të lidhjes së aktmarrëveshjeve me subjektet private debitore.
Bizneset
Bizneset që furnizohen në tension të mesëm 35kv-6 kv. Këto janë biznese të sektorit industri dhe detyrimin duhet ta paguajnë deri me 6 këste të barabarta. Ky proces duhet të mbyllet brenda datës 31 dhjetor 2015. Sipas OSHEE, me ligjin e ri që pritet të miratohet në Kuvend, kjo kategori biznesi nuk do të furnizohet nga OSHEE pas kësaj date. Bizneset që furnizohen në tension të mesëm 20/10/6 kv. Këto janë biznese të mëdha, kryesisht si ato që ndodhen përreth autostradës Tiranë-Durrës. Këstet e pagesës së detyrimeve janë deri në 12 muaj (këst përmuajshëm në shuma të barabarta).
Kontratat
Burime zyrtare nga OSHEE bëjnë të ditur për “Gazeta Shqiptare” se deri më tani, pra nga data 2–14 mars, biznesi ka lidhur mbi 1 mijë aktmarrëveshje për pagesën me këste të detyrimit ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, me vlerë rreth 2.2 milionë dollarë. Mësohet se gjithsej biznesi ka rreth 90 mijë kontrata (një biznes mund të ketë 2 ose më shumë kontrata furnizimi) ndaj OSHEE-së, me vlerë afro 140 milionë dollarë.
Sportelet
OSHEE thekson se për të përballuar fluksin në sportele ka lidhur kontrata me operatorë të tjerë për shërbimin e pagesës së faturave. Aktualisht pagesat më këste të bizneseve mund të bëhen si në sportelet e OSHEE, ashtu edhe në pikat e transfertave të parave, banka apo në postë. Pra, përveç pagesës normale të faturës së dritave, subjektet mund t’u drejtohen edhe pikave të tjera alternative, të cilat priten të zgjerohen.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: