Që herët në mëngjes qytetarët e Kavajës i janë drejtuar sot tregjeve të fruta-perimeve, dyqaneve ushqimore dhe supermarketeve për të kryer blerjet e tyre përpara shtetrrethimit të fundjavës, orës 17:30.

Thuajse në të gjitha këto pika shitje ka pasur radhë, ndërsa Policia e shtetit dhe Policia Bashkiake ishte prezente për të këshilluar në zbatimin e masat mbrojtëse dhe respektimin e distancës së përcaktuar.

Në pritje të kufizimit të lëvizjes që në këtë fundjavë është shtuar me 1 ditë, të shumtë kanë qenë edhe sot banorët që i janë drejtuar bankave për të tërhequr lekë për kryerjen e blerjeve të tyre familjare, ndërsa radhë janë shënuar edhe në furrat e bukës dhe në farmacitë e qytetit.

Në akset rrugore të qytetit ka pasur prezencë të shtuar të efektivëve të policisë që po bëjnë kontrollin e mjeteve dhe qytetarëve, nëse kanë leje për të dalë nga banesat apo jo.

Gjatë kontrolleve të shtuara në batimin e masave të marra kundër COVID-19 në ditët e fundit janë gjobitur disa biznese dhe shoqëruar rreth 20 persona për thyerje të rregullave të karantinimit.

Disa ditë më parë Bashkia e Kavajës vendosi përpara çdo biznesi të hapur piketa sipas largësisë së përcaktuar për ruajtjen distancave sociale.
Aktualisht në Kavajë janë shënuar 9 raste me covid19, dy prej tyre kanë humbur jetën ndërsa gjendja shëndetësore e personave të tjerë të prekur është e stabilizuar dhe vazhdon ndjekja epidemiologjike e kontakteve të tyre.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb