Kreu i PD, Lulzim Basha i ftuar në emisionin ‘’Kjo Javë’’ të Nisida Tufës në News24 ka hedhur poshtë zërat për pakënaqësi nga aleaët e PD për mënyrën se si do të shkohet në zgjedhje.
Basha konfirmon se nuk ka asnjë pakënaqësi, por vetëm mendime konstruktive si mund të bëhet më mirë.
Ai shton se me të gjithë ka komunikim të përditshëm dhe për më tepër garanton se asnjë formulë nuk e përçan opozitën që të shkojë e bashkuar në zgjedhje. Po ashtu lideri i PD kujton se marrëveshja e PD me aleatët ekziston prej prillit të vitit të kaluar dhe vijon po ajo.
PJESË NGA INTERVISTA
Nisida Tufa: Ndalemi pak tek eksponentë të partive të tjera opozitare, e kam fjalën këtu për zotin Mediu apo zotin Duka etj. Shprehin opinione ku del qartë pakënaqësia se si do të shkojë, si do të futen në zgjedhje. Çfarë keni për të thënë për ta zoti Basha dhe kur do të ketë një firmosje marrveshje me ta?
Lulzim Basha: Kam një komunikim të përditshëm me të gjithë aleatët e mi.
Nisida Tufa: Por jeni ndeshur me pakënaqësitë e tyre?
Lulzim Basha: Dhe absolutisht asnjë pakënaqësi por mendime konstruktive dhe zgjidhje të përbashkëta për të ecur përpara
Nisida Tufa: Kur do të ketë një marrëveshje me ta?
Lulzim Basha: Marrëveshja ekziston prej prillit të vitit të kaluar
Nisida Tufa: Dhe vijon të jetë ajo?
Lulzim Basha: Padiskutim. Opozita e bashkuar është e bashkuar dhe nuk ka asnjë formulë, asnjë dallavere që do të mund të na përçajë. Ne jemi të bashkuar ne do të garojmë të bashkuar, ne do të fitojmë të bashkuar, me shumicën dërrmuese të shqiptarëve që duan ndryshim
Nisida Tufa: Dhe çfarë do të bëhet me aleatët?
Lulzim Basha: Mendoj se e kam thënë mbi 5 herë përgjigjen të paktën këto 10 minuta. Aleatët dhe partia Demokratike janë të vendosur të bëhen vektorët e këtij ndryshimi që kërkon shumica dërrmuese e shqiptarëve.
Nisida Tufa: Zoti Basha ndalemi pak sepse si rrallë ndonjëherë përpara zgjedhjeve kemi të paktën 5 parti të reja politike, që kanë dalë nga opozita, apo jo? Janë opozitarë, gjithsesi.
Lulzim Basha: Jo, jo nuk kanë dalë. Janë 5 parti, meqë e përmende, vetë krijuesit e këtyre formacioneve janë vetëdenoncuar, apo jo? I mbani mend deklarimet e famshme: do krijojmë 5 parti? Më fal, është një skemë… s’ka rëndësi kush kanë qenë, rëndësi ka kush janë. Janë parti të krijuara nga Edi Rama. Është një fenomen të cilin hetimi më sipërfaqësor gazetareske do ta gjejë n është Republikat Sovjetike, ku nuk ka demokraci, po ka autokraci, dhe ku autokratët përpiqen, në përpjekjet e tyre të fundit për të mbajtur pushtetin të kapin institucionet, të kapin drejtësinë, të shtypin lirinë e shprehjes, të kapin mediat dhe të godasin opozitën sepse nuk kanë çfarë t’u ofrojnë njerëzve të tyre. Nuk kanë më çfarë t’u ofrojnë. Janë shteruar, nuk kanë bilanc, nuk kanë mbajtur asnjë premtim, dhe e gjithë përpjekja e tyre është pastaj për të goditur opozitën, dhe një nga manovrat për të goditur opozitën është për të krijuar idenë se opozita nuk është e bashkuar. Pra, është një fenomen që njihet në vendet me autokraci apo me vende që po i afrohen diktaturës. Pra, është një përpjekje e lodhur e Edi Ramës për të bërë fotokopje të kësaj përpjekjeje. Nuk ka asnjë parti…
Nisida Tufa: Janë tre alternative që unë shoh. Çfarë i kanë nxitur që të krijohen këto parti? Është pragu 1% që i kanë nxitur? Është një plan i qeverisë ky? Apo një pakënaqësi që kanë persona që nuk kanë bërë karrierë në Partinë Demokratike?
Lulzim Basha: Sapo ua dhashë përgjigjen. E rëndësishme është kjo. Shqiptarët duan ndryshim dhe e kuptojnë farë mirë, kush është në krahun e ndryshimit dhe kush është haptazi apo fshehurazi mundohet të bëhet pengesë për ndryshimin, t’i zgjasë jetën një njeriu, që për 7 vite nuk mbajti asnjë premtim dhe i la shqiptarët në baltë në kohën e tyre më të vështirë, në kohën e termetit, për të cilin do desha të flisnim pak, në kohën e pandemisë, dhe dështoi 7 vite të niste një hap përpara në procesin e integrimit europian të vendit. Çdo vend tjetër ka ecur përpara, ka shkyçur fonde me të cilat ka ndihmuar më mirë shëndetësinë, ka ndihmuar më mirë fermerët, ka ndihmuar më mirë ekonominë. I vetmi që për pushtetin e tij ka sakrifikuar shëndetin, jetën dhe ekonominë e shqiptarëve është Edi Rama. Dhe shqiptarët nuk janë budallenj. Ka një përpjekje për t’i keqinformuar, ka një përpjekje për të mos i informuar. Natyrisht, e gjithë përpjekja jonë është t’i thyejmë këto dy barriera të keqinformimit dhe të mosinformimit, por shqiptarët e dinë fare mirë dhe me 25 prill do të vendosin fare qartë midis ndryshimit dhe ecjes përpara apo mbetjes në këtë situatë të papranueshme për ta dhe familjet e tyre, dhe në këtë vendimmarrje do ta kenë fare të qartë të kuptojnë, se kush janë ata që sjellin ndryshimin dhe kush janë ata me apo pa maska, që shërbejnë status-quo-së dhe vazhdimit të kësaj gjendje të papranueshme për familjet shqiptare.
Nisida Tufa: Pak më shkurt zoti Basha, pikërisht këto emra që ju përmenda…
Lulzim Basha: Nuk merrem fare me emra.
Nisida Tufa: … i shërbejnë qeverisë apo… që do të thotë e dëmtojnë Partinë Demokratike përpara zgjedhjeve? Sa do dëmtohet Partia Demokratike?
Lulzim Basha: Aspak, aspak! Se për një arsye fare të thjeshtë. Në qoftë se ti zgjohesh 4 muaj para zgjedhjeve… ku ke qenë tre vjet e gjysmë?
Nisida Tufa: Atëherë si mund t’i shërbejnë qeverisë?
Lulzim Basha: Kur janë bërë betejat më të ashpra për të mbrojtur themelet e bashkëjetesës demokratike. Për Kushtetutën, për shtetin ligjor, për të drejtat e shkelura, për aferat korruptive, për qindra mijëra familje që kanë vuajtur mbi kurriz pasojat e kësaj qeverisje ku ke qenë? Kjo është pyetja. Në qoftë se ke qenë dhe ti duke dhënë kontributin tënd atëherë je fare legjitim që sot të kërkosh t’i përfaqësosh këta qytetar.
Nisida Tufa: E vërtet.
Lulzim Basha: Në qofte se ke mbyllur gojën apo akoma më keq, në kohën kur opozita përballej, në kohën kur demokratët dhe Partia Demokratike përballeshin me të keqen ti ke bërë fresk kryeministrit apo ke bërë opozitën e opozitës askush nuk harron dhe askush nuk mund të bëhet budalla në çastin e fundit dhe të besoj se 4 muaj para zgjedhjeve ti ke një agjendë të ndryshme nga ajo që ke pasur 4 vite. Thënë me dy fjalë, kush është gati me bërë gjithçka për të realizuar aspiratën popullore për ndryshim dhe largimin me çdo kush të kësaj qeverie padiskutim është pjesë e këtij fronti opozitar. Të tjerët që kanë një agjendë tjetër ë kanë zgjedhur se kujt I shërbejnë dhe do të marrin pa diskutim gjykimin e njerëzve për atë që kanë zgjedhur të bëjnë.
Nisida Tufa: Po shkojmë avash avash drejt fundit të intervistës zoti Basha. Por unë dua ta mbyll te pjesa e zgjedhjeve duke ju pyetur për sloganin e Partisë Demokratike. E ka zgjedhur Partia Demokratike sloganin që do të ketë?
Lulzim Basha: Në qoftë se ka diçka të jeni e sigurt 1000% që nuk do të mbahet sekret është slogani i Partisë Demokratike që do të jetë padiskutim një pjesë e kësaj përpjekje të madhe që po bëjmë që ta bashkojmë këtë dëshirë popullore për ndryshim, ta drejtojmë këtë betejë dhe t’i japim Shqipërisë një shpresë të re, t’i japim këtij vendi me potenciale të mahnitshme një rrugë që këto potenciale ti gëzojnë të gjithë qytetarët shqiptar dhe jo një pakicë.
Nisida Tufa: Kuptoj. Zoti Basha Shqipëria nuk po hap de fakto negociatat me Bashkimin Europian dhe duket tani që kushti kryesor, ato të parashtruara nga Bundestagu, është zhvillimi I zgjedhjeve I 25 prillit. Çfarë i rrezikon zgjedhjet e 25 prillit shkurtimisht të lutem?
Lulzim Basha: Edi Rama dhe ankthi I tij nga humbja. Më shkurt se kaq.
Nisida Tufa: Opozita vetë çfarë i druhet procesit zgjedhor?
Lulzim Basha: Opozita është e vendosur që ti prij vullnetit dhe dëshirës popullore për ndryshim. Asgjë, asnjë forcë nuk do ta ndal dot ndryshimin. Për këtë të jeni e sigurt.
Nisida Tufa: Duke u ndalur tani te tërmeti. Do doja të dija zoti Basha një vit pas tërmetit cili është informacioni që opozita ka mbi gjendjen e të pastrehëve dhe të dëmtuarve nga tërmeti, çfarë statistike ka?
Lulzim Basha: Është ajo që kemi bërë publike, është ajo që keni treguar ju me kamerat tuaja, është ajo që dëgjojmë ditë për ditë kur shkojmë pran tyre. Njerëz në çadra një vit pas tërmetit, shtëpi të pa riparuara për të cilat është premtuar fondi dhe s’është dhënë, fonde të pa mjaftueshme as për të rregulluar as 1/10 e dëmit. Mafia e tokave dhe mafia qeveritare në bashkëpunim për të shfrytëzuar fatkeqësinë për të grabitur prona apo për të krijuar projekte korruptive me parat me të cilat duhet të ishin ndërtuar banesat e njerëzve të goditur nga tërmeti. Një qeveri që për 7 vite s’ka mbajtur asnjë premtim. Një qeveri që është shënuar në këto 7 vite nga niveli më I lartë I korrupsionit dhe shpërdorimi i parave publike kurrsesi nuk mund të bënte ndryshe. Por unë dua të përfitoj nga ky rast të siguroj të gjitha familjet shqiptare të goditura nga tërmeti se 25 prilli do të shënoj edhe një ndarje me këtë praktik të zvarritjes, të keqpërdorimit, përdorimit të fatkeqësisë për t’i skllavëruar edhe më tej edhe se ne do të bëjmë të mundur ecjen përpara me shpejtësi pa asnjë pengesë drejt realizimit të objektivave që kanë të bëjnë me sigurimin e shpive të reja apo dhënien e ndihmës financiare në mënyrë që ky kalvar i gjatë vuajtjesh i bërë edhe më i rëndë nga keq përdorimi politik i fatkeqësisë të marrë fund. Kalvari i keq përdorimit politik i fatkeqësisë së tyre do të marrë fund më 25 prill dhe qeveria e re dhe unë personalisht do të kujdesemi që mos të humbim më asnjë orë dhe asnjë shansë për t’i ndihmuar këto familje me atë që kanë nevojë, një strehë mbi kokë dhe dëmshpërblimin e merituar për tërmetin, për pasojat e tërmetit.
Nisida Tufa: Zoti Basha pyetja ime e fundit, pas 3 ditësh është 8 Dhjetori, Dita e Rinisë, 30 vite më pas që në fakt nuk janë shumë për historinë e një vendi por janë shumë për jetën e një shqiptari, sa ndiheni përgjegjës që sot e 30 vite Shqipëria ende nuk ka çelur negociatat me Bashkimin Europian?
Lulzim Basha: Së pari në 1 vitet e para unë e kam ndjekur politikën nga jashtë ndërsa në 8 vitet e para në shërbim të qytetarëve besoj se kam dhënë kontributin tim që të rinjtë shqiptarë të lëvizin pa viza në Europë bashkë me prindërit e tyre dhe kur isha 16 vjeç, në vitin 1990, 16 vjeç e gjysëm iu bashkova qytetarëve dhe studentëve me thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” besoj se për shumë prej nesh një pjesë kryesore e kësaj ka qenë lëvizja e lirë, kështu që kam kënaqësinë dhe privilegjin që iu kam shërbyer njerëzve, qytetarëve, popullit tim që të paktën këtë pjesë të Shqipërisë si gjithë Europa, lëvizjen në Europë pa viza të kem shërbyer me dinjitet për ta bërë realitet. Dhe I siguroj që me të njëjtin përkushtim do punoj nesër si kryeministër për të bërë realitet edhe pjesën tjetër, anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe të gjitha avantazhet që kjo sjell, ekonomike, sociale në veçanti për rininë shqiptare që shanset që i kërkon jashtë Shqipërisë t’i ketë këtu në vendin e saj, në një vend me potenciale mahnitëse dhe po kështu të bëjmë të mundur dinjitetin e shqiptarit kudo ku jeton, në Shqipëri apo jashtë Shqipërisë, si qytetar i Bashkimit Europian. E di se në 2009 apo 2008 kur nisëm punën për heqjen e vizave shumëkush ishte skeptik dhe nuk mund ti vije faj. Si mund t’i vije faj qindra familjeve shqiptare që harxhonin javë të tëra në radhë nga mëngjesi deri në darkë para ambasadave për të marrë një vizë dhe prapë nuk e merrnin dot vizën dhe kishin 6, 10 vite pa i parë fëmijët e tyre, 15 vite pa i parë fëmijët e tyre, nuk mund t’i vije faj. Dhe sot nuk mund t’i vë faj shumë të tjerëve që janë zemërthyer nga ky realitet dhe mendojnë se ky është fati ynë. Jo, ky nuk është fati ynë! Gjërat mund të ndryshojnë, gjërat mund të jenë ndryshe, gjërat do të jenë ndryshe. Ata që nuk besonin se ne do të hiqnim vizat sot me pasaportën shqiptare mund të udhëtojnë me ballin lart dhe të shkojnë të takojnë të afërmit e tyre. Sigurisht situata e COVID-it sjell komplikimet e veta dhe të gjithë shqiptarëve dua tu them të kenë besim se së bashku do ta bëjmë realitet anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe një Shqipëri të shpresës me mundësi, me punësim dhe mirëqenie për familjet shqiptare.
Nisida Tufa: Zoti Basha shumë faleminderit! Ishte kënaqësi për realizimin e intervistës.
Lulzim Basha: Kënaqësia ime! Faleminderit ju për ftesën.
(BalkanWeb)