TIRANË

“News24” dhe “BalkanWeb” kanë zbardhur paketën “Anti-KÇK” të prezantuar sot nga kryeministri,  Edi Rama, i cili në vija të përgjithshme shpjegoi fokusin kryesor të kësaj mase shtrënguese kundër krimit të organizuar.

Gazetarja e kronikës në “News24” Dorjana Bezat, ka shpjeguar në detaje të gjitha parashikimet  e paketës, ndërsa tregoi subjektet e këtij ligji dhe risitë që sjell për hetimin dhe sekuestrot.

Më tej, Bezat dha detaje duke treguar rolin e Policisë së Shtetit, gjykatës, Prokurorisë si dhe veprimet e tyre kur do përballen me një rast të dyshuar si subjekt të ligjit të mësipërm. Një pikë tjetër e këtij ligji, i cili nuk ka qenë më parë, lidhet me faktin se policia  në kushtet të emergjencës mund të sekuestrojë pasaporta të personave të dyshuar, edhe pamarrë lejen e organeve si prokuroria apo gjykata.

Pjesë nga intervista:

Në rast se dyshon se një person është i përfshirë në aktivitet kriminal, si është e parashikuar kjo në këtë projektligj?

Një tjetër masë që doja të ndalesha, është edhe mbikëqyrja speciale në kushtet e emergjencës, ku policia pa marrë asnjë urdhër nga prokuroria e gjykata mund të bëjnë tërheqjen e pasaportës së personit. Kjo tërheqje është e përkohshme, deri sa vendimi të ankimohet nga personi ose prokuroria dhe gjykata të flasin për rastin.

Pjesa e përgjimeve….

Kjo sigurisht që është e re pasi jemi mësuar që deri tani, që sipas kodit të procedurës penale, që përgjimet përdoren si provë në gjykatë kur autorizohen nga kjo e fundit, ndërkohë neni 33 i këtij ligji që është për përgjimet telefonike thotë se “Struktura e Policisë së Shtetit do të kryejë përgjime që do të jenë parandaluese të telekomunikimeve dhe do të administrohen me indicie në kryerjen e veprave penale që parashikohen nga ligji. Autorizimi jepet nga drejtuesi i prokurorisë në bazë të kërkesës së bërë nga ana e policisë. Nëse përgjimet jepen nga prokuroria , atëherë këto nuk janë si provë në gjykatë dhe këtu lindin pikëpyetje se pse duhet të përdoren kur nuk janë provë në gjykatë.

Gjithmonë bëhet fjalë për persona që janë të dyshuar apo për çdokënd?

Subjekte e këtij ligji nuk janë persona që janë të dënuar me formë të prerë për krim të organizuar, por edhe për persona që janë të dyshuar se merren me krim të organizuar ose ata që nuk e justifikojnë dot  jetën e tyre të luksit me burime të ligjshme. Pjesë të këtij ligji janë  të dhënat në internet, dhe veprimet gjurmuese të policisë. Po ashtu përgjime ambientale që policia do t’i përdorë për lokalizimin e personave të dyshuar.  Struktura e policisë do të kryejnë përgjime ambientale private të autorizuar nga prokurori përkatës, ndërsa kontrollet që kanë të bëjmë  me banesat private duhen me urdhër të prokurorit. Policisë i jepet dorë e lirë për të kryer kontrolle me inciative e një punonjësit të thjeshtë me gradën nënkomisar, dhe kjo është e reja tjetër e këtij ligji. Më përpara kjo nuk ka ndodhur dhe policia ka qenë e kufizuar në kryerjen  e kontrolleve të ndryshme. Policia mund të kryejë sekuestron e saj, ndërsa më pas pritet brenda 48 orëve që të shprehet prokuroria. Nëse pastaj shkon në konfiskim të pasurisë, personat që janë subjekt të ligjit nuk mund ta përmendin në gjykatë si argument  për evazion fiskal.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb