TIRANË

Pas personave me një të kaluar të errët që nuk justifikojnë pasurinë apo atyre që vijojnë të vënë pasuri nga aktiviteti kriminal, radha iu vjen dhe gjyqtarëve e prokurorëve të inkriminuar.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj tha sot para mediave se ata persona që i kanë transferuar pasuritë e paligjshme në palë të treta do të japin llogari një më një. E sa iu përket gjyqtarëve e prokurorëve, duke marrë si shembull rastin e lirimit të Indrit Dokles Gjonaj theksoi se për këta sfidues të ligjit e vlerave të shoqërisë organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë do të kenë mekanizma të reja efikase për të ndëshkuar.

“Njëkohësisht subjekte të kësaj pakete janë të gjithë ata të cilët për të fshehur pasuritë e tyre të paligjshme i kanë transferuar ato në emra të palëve të treta. Këto lloj transferimesh apo transaksionesh në bazë të këtij akti normativ që është miratuar sot do të anulohen dhe do të konsiderohen të pavlefshme. Personat që kanë menduar se nëpërmjet këtyre veprimeve do të shpëtonin pasuritë e tyre do të duhet të japin llogari një më një dhe do duhet të justifikojnë çdo qindarkë. Akti normativ i miratuar do t’i japë Policisë së Shtetit, SPAK-ut dhe Gjykatave të Posaçme, mjetet dhe kornizën e duhur ligjore për të luftuar krimin e organizuar në mënyrën më efikase të mundshme. Ndërsa pjesa tjetër e paketës ka të bëjë me prokurorë e gjyqtarë të korruptuar të cilët po sfidojnë shtetin, ligjin dhe tërë shoqërinë, me vendime si ai i Gjykatës së Krujës, i cili ndonëse i fundit në radhë nuk është i vetmi. Për të gjithë këta sfidues të ligjit dhe vlerave të shoqërisë që abuzojnë për interesa personalë dhe korruptivë teksa kalojnë ditët e fundit para vettingut, me këtë paketë, institucionet e reja të drejtësisë, organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë do të kenë mekanizma të reja efikase për të ndëshkuar çdo gjyqtar dhe prokuror që merr guximin të shkelë ligjin”, deklaroi ministrja Gjonaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb