TIRANË

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Operacioni Forca e Ligjit (OFL) dhe paketa ‘anti-KÇK’ janë prova e sigurt e faktit që pavarësisht se negociatat nuk u hapën në tetor puna vijon njësoj sikur negociatat të ishin hapur sepse i kërkon domosdoshmëria për ta kthyer Shqipërinë në një shtet me të gjitha standardet e BE.

Ai foli dhe për paketën anti-kçk, për të cilën tha se pasuria e vënë nga krimi do i kthehet popullit shqiptar. Por përse nuk u bë më parë ky operacion? Rama tha se nuk ishin strukturat e dala nga reforma në drejtësi dhe nuk mund t’ua çonin dosjet gjykatësve e prokurorëve të KÇK.

“Njerëzit është e rëndësishme të kuptojnë se përtej faktit që me të drejtë nuk kanë durim që siç ndodhi me reformën në drejtësi ashtu do të ndodhë dhe me këtë iniciativë. Qoftë kjo iniciativë, janë siç themi ne ‘dardha e ka bishtin mbrapa’ se nuk mbaron me kaq. Nëse vettingu të përjashton nga sistemi i drejtësisë nuk mbaron me kaq. Dhe për paketën, nëse zotërinjtë që thirren për të vërtetuar burimin e pasurisë së tyre nuk e vërtetojnë se nuk buron nga puna por nga krimi jo vetëm do të humbasin pasurinë dhe këtë pasuri do ta marrë mbrapsht populli shqiptar por do të hyjë në fazën tjetër, hetimi.
Më para nuk mund të bëhej dot se nuk kishim SPAK-unë. Nuk mund të bënim Operacionin Forca e Ligjit dhe tua çonim dosjet atyre të KÇK, gjykatësve e prokurorëve të korruptuar. Prokurorëve e gjykatësve që janë për të ikur? kështu që tani jemi në kushtet që kemi mekanizmat e parë të reformës në drejtësi”, deklaroi Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb