Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, tha në një deklaratë për media se kreu i KÇK është vetë Edi Rama dhe tashmë të gjithë shqiptarët e dinë këtë.

Për këtë arsye, siç theksoi Spaho, nuk mund të besohet se Rama do të luftojë krimin e organizuar, kur e solli vetë në të gjitha pushtetet dhe po liron nga burgjet kokat e bandave.

Referuar operacionin “Forca e Ligjit”, të njohur edhe si “Anti-KÇK’, të nisur prej disa ditësh, numri dy i PD tha se opozita nuk është kundër luftës ndaj krimit të organizuar, por kërkon një ligj, që synon vërtetë ta luftojë atë.

“Ne nuk jemi kundër asnjë ligji, që synon të luftojë krimin e organizuar, pasi është një problem mjaft i madh në Shqipëri dhe ky problem është krijuar me ardhjen në pushtet të Ramës. Në qeverisjen e Ramës u bë kanabizimi i vendit, 19 deputetë ishin në Parlament, 2 ministra të Brendshëm dolën të lidhur me organizatat kriminale, njëri prej tyre i dënuar, vëllai i tjetrit po shlyen dënimin në Itali. Në zgjedhjet e 2015 u kandiduan një sërë kryetarësh me rekorde kriminale”, tha Spaho.

DEKLARATA E NENKRYETARIT TE PARTISE DEMOKRATIKE EDMOND SPAHO

Edi Rama dhe shërbëtorët e tij si Taulant Balla kanë nisur një strategji të dështuar për të na identifikuar ne me krimin, kur ata vetë ndajnë para dhe pushtet me krimin.

Ne nuk jemi njësoj me Edi Ramën. Ne nuk padisim në gjykatë asnjë ligj kundër krimit të organizuar, siç bëri Edi Rama në vitin 2009 me Ligjin Antimafia. Me Vasilika Hysin dhe Etilda Gjonin të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Edi Rama e ankimoi atë në Gjykatën Kushtetuese me shqetësimin se shkelte të drejtat e anëtarëve të krimit të organizuar.

Gjatë qeverisë së Partisë Demokratike 285 grupe të strukturuara kriminale, prej të cilave 18 organizatat më të rrezikshme mafioze në vend, shkuan prapa hekurave të burgut.

Sot, në qeverinë e Edi Ramës dhe të Taulant Balles, ata po fitojnë një nga e një lirinë, sepse drejtori i burgut të Edi Ramës dhe Kryetari i Bashkisë së Edi Ramës kanë dalë garantë për sjelljen e mirë të kriminelit të rrezikshëm, që ka blerë vota për Edi Ramën.

Ky është shqetësimi i vetëm i Partisë Demokratike, i opozitës dhe i shumicës së shqiptarëve, që nuk beson se banda që është sot në qeveri do të luftojë banditët që ka liruar nga burgjet dhe aq më pak t’u marrë pasuritë e tyre.

Shqiptarët nuk besojnë se Taulant Balla psh do të luftojë pasurinë e mikut të vet trafikant droge, Edmond Bego. Apo Edi Rama të urdhërojë hetimin e pasurisë së Saimir Tahirit apo Ermal Hoxhës, bashkëpunëtorit të Olsi Ramës në laboratorin e kokainës në Xibrakë.

Propaganda dhe mashtrime publike nuk e ndryshojnë dot të vërtetën. Edi Rama është kreu i KÇK-së, bashkëqeveris me krimin e organizuar, i jep krimit tendera, koncesione dhe pasuri publike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb