TIRANE

PD ka thirrur sot në tryezë, gazetarët lidhur me paketën antishpifje që pritet të kalojë këtë të enjtë në seancë plenare. Ndërsa e konsideroi këtë paketë nëj çmenduri të qeverisë, kryedemokrati Basha tha se ky akt i paprecedentë do të votohet nga një Kuvend i cunguar, e që opozita. nuk do e njohë. Kryedemokrati zgjodhi të nisë fjalën e tij me një anekdotë, ndërsa mori si shembull arrestimin e gazetari një gazetar në kohën e luftës në Britani pse e quajti Winston Churchill budalla, Basha tha se situata me të cilën ballafaqohemi sot nuk është një ankedodë.

“Ndërsa presim akoma disa kolegë që po afrohen për shkak të trafikut, me vonesë, më lejoni ta nis me një, ne i themi anekdotë, por në fakt ka ndodhur në të vërtetë, ndonëse çështja nuk është aspak për të qeshur. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, një gazetar e quajti Winston Churchill budalla. Dhe u arrestua. Të nesërmen, në Parlament opozita ishte bërë gati që ta piqte kryeministrin. Çfarë u bë? Britania u kthye në një shtet policor? Winston Churchill mori fjalën dhe tha “Të qartësojmë diçka, personi nuk u arrestua, sepse ofendoi Kryeministrin e Britanisë së Madhe, por sepse nxori një sekret shtetëror.”

Nuk e di nëse është e vërtetë apo anekdotë, por kjo me të cilin po ballafaqohemi nuk është anekdotë. Është vazhdimi i pandërprerë kundër medias, kundër gazetarëve, kundër lirisë së shprehjes. Dua t’ju them që në fillim që këtë ftesë nuk e kemi thirrur vetëm për të treguar solidaritetin me ju, as nuk jemi këtu në pozita paternalizmi për t’ju marrë nën krahët e opozitës, sepse ju nuk keni nevojë. Keni bërë luftë të jashtëzakonshme. Ne kemi detyrën, nderin dhe privilegjin të jemi në krahun tuaj në këtë betejë, sepse pa lirinë e medias, pa lirinë e shprehjes nuk ka liri politike.

Mosinformimi dhe keqinformimi është objektiv i qeverisëdhe Ramës, arrestimeve, presioneve financiare duke ngushtuar informimin. Kjo është një vijë e kuqe e papranueshme për Partinë Demokratike dhe opozitën e bashkuar. Kjo është një luftë e shpallur kundër lirisë së medias. Qeveria po propozon një për të instaluar censurën.

Objektivi ynë është t’i japim vendit një kuadër ligjor për t’i mbyllur derën tranzicionit ndaj medias dhe për ta zhvendosur në standarde europiane në praktika të autonomise dhe lirisë së shprehjes. Nëse cmenduria cohet deri në fund në parlamentin e cunguar, opozita nuk do ta njohë dhe sapo të ketë mudnesinë e qeverisjes për ta zhbërë këtë legjislacion bashkë me shoqatat e gazetareve të pezullojme cdo masë të tille arbitare.” u shpreh Basha.

Fjala e plote:

Faleminderit që i jeni përgjigjur ftesës sime dhe të opozitës së bashkuar dy ditë para se Kuvendi i cunguar i Shqipërisë të ndërmarrë një akt të paprecedentë jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë hapësirën europiane.

Ndërsa presim akoma disa kolegë që po afrohen për shkak të trafikut, me vonesë, më lejoni ta nis me një, ne i themi anekdotë, por në fakt ka ndodhur në të vërtetë, ndonëse çështja nuk është aspak për të qeshur. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, një gazetar e quajti Winston Churchill budalla. Dhe u arrestua. Të nesërmen, në Parlament opozita ishte bërë gati që ta piqte kryeministrin. Çfarë u bë? Britania u kthye në një shtet policor? Winston Churchill mori fjalën dhe tha “Të qartësojmë diçka, personi nuk u arrestua, sepse ofendoi Kryeministrin e Britanisë së Madhe, por sepse nxori një sekret shtetëror.”

Nuk e di nëse është e vërtetë apo anekdotë, por kjo me të cilin po ballafaqohemi nuk është anekdotë. Është vazhdimi i pandërprerë kundër medias, kundër gazetarëve, kundër lirisë së shprehjes. Dua t’ju them që në fillim që këtë ftesë nuk e kemi thirrur vetëm për të treguar solidaritetin me ju, as nuk jemi këtu në pozita paternalizmi për t’ju marrë nën krahët e opozitës, sepse ju nuk keni nevojë. Keni bërë luftë të jashtëzakonshme. Ne kemi detyrën, nderin dhe privilegjin të jemi në krahun tuaj në këtë betejë, sepse pa lirinë e medias, pa lirinë e shprehjes nuk ka liri politike.

Dua ta them fare qartë që në fillim, që këtu jemi si partnerë, jo partnerë ne në interesin tonë dhe ju në interesin tuaj, por partnerë në një interes: partnerë në interesin e informimit të qytetarëve. Kjo është ajo që na intereson ne. Kjo është detyra juaj, informimi i qytetarëve.

Mosinformimi i tyre dhe keqinformimi i tyre është një nga objektivat kryesorë strategjikë të gjithë sjelljes së kësaj qeverie dhe të këtij kryeministri, të gjithë masave të propozuara, të arrestimeve arbitrare dhe shoqërimeve, presioneve financiare, penale e të gjithanshme, ndaj çdo individi që kërcënon këtë objektiv strategjik të këtij kryeministri, të kësaj qeverie, të ngushtojë çdo ditë hapësirat e informimit të qytetarëve.

Kjo për ne është e papranueshme, për PD, për secilin prej aleatëve tanë, për opozitën e bashkuar kjo është një vijë e kuqe, siç do të ishte në çdo vend sadopak demokratik.

Nuk dua të marr me radhë shembujt që ilustrojnë përshkallëzimin e kësaj lufte të shpallur kundër medias, kundër gazetarisë, kundër lirisë së shprehjes, sepse këtu në këtë tavolinë kemi mjaftueshëm prej kolegëve tuaj që janë mishërim i këtij degjenerimi të paimagjinueshëm të lirisë së medias në 30 vite dhe të presionit të jashtëzakonshëm, që po bëhet për të kulmuar në propozimin që do të shkojë në Kuvend ditën e mërkurë, propozimin për të instaluar edhe me ligj censurën.

Dua t’ju them tre gjëra:
Së pari, të vetëdijshëm edhe për mangësitë tona dhe për problemet tona, edhe sot si opozitë, edhe dje si qeverisje dua t’ju them se synimi ynë, objektivi ynë është t’i japim vendit jo vetëm një kuadër ligjor por edhe të gjitha instrumentet për të mbyllur një herë e përgjithmonë derën e hambarit të shëmtuar të tranzicionit përsa i përket lirisë së medias, për ta zhvendosur median dhe lirinë e shprehjes përfundimisht në hapësirën europiane sa i përket lirisë, standardeve, normave, praktikave të vetë rregullimit dhe të autonomisë, sa i përket legjislacionit të medias, rolit të gazetarëve dhe të shoqatave të gazetarisë.

Së dyti, padiskutim që, nëse çmenduria çohet deri në fund, ditën e premte nga parlamenti i cunguar dhe ilegjitim opozita jo vetëm që nuk do ta njohë, por do të bëjë çdo gjë që sa më shpejt, sapo të ketë mundësinë dhe përgjegjësinë e qeverisjes ta zhbëjë këtë legjislacion. Ndërkohë që do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm në bashkërendim me ju, me shoqatat që ju përfaqësoni, brenda dhe jashtë vendit për të pezulluar, zmbrapsur dhe anulluar çdo masë të tillë arbitrare.

Së treti, dua t’ju them se këtë partneritet, për hir të mirë informimit të qytetarëve, pa të cilën nuk mund të ketë demokraci funksionale, nuk mund të ketë një shoqëri të lirë, duam ta përkthejmë në një bashkëpunim konkret, i cili, jo nesër, as pasnesër, por sot, në kuptimin metaforik të fjalës, t’i japë çdo gazetari, çdo punonjësi të medias, çdo qytetari shqiptar konturet dhe përmbajtjen e një korpusi legjislativ dhe rregullator që do të varrosë njëherë e përgjithmonë mundësitë e një qeverie nesër për ta trajtuar pushtetin e katërt – siç jemi mësuar rëndom këto 6 vite, por edhe gjatë tranzicionit apo siç e trajton pushtetin e tretë, apo pushtetin e dytë – si një shtojcë të qeverisë, apo përndryshe, si një bezdi që i duhet mbyllur goja me kërcënime, me para apo me çdo formë tjetër.

Kjo që po ndodh është dramatike, por jam dakord me analizën e një prej kolegëve tuaj se është vetëm një akt tjetër në një dramë të madhe që ka nisur të shpaloset dhe që ka për qëllim asgjësimin e të gjithë shtyllave kryesore të një shoqërie të lirë e demokratike, lirisë politike, lirisë së zgjedhjes, shtetit të së drejtës, duke e zëvendësuar me shtetin e fermanit, respektit për kushtetutën dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, drejtësinë e pavarur dhe median e lirë.

Po e përfundoj me faktin që nuk besoj se ka ironi më të madhe në historinë e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, që shteti i përzgjedhur, në kulmin e një krize politike, për të marrë kryesimin e kësaj organizate, e nis kryesimin e kësaj organizate me një paralajmërim për një sjellje rrugaçërore, kriminale, në raport me një nga kolonat kryesore që kjo organizatë ekziston – lirinë e medias.

Me këtë nuk dua të them asgjë më shumë e asgjë më pak sesa mirënjohjen për të gjithë ata përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, që kanë ngritur zërin dhe i janë përgjigjur shqetësimit legjitim nga ju dhe nga shoqatat e organizatat tuaja. Kam dhe një thirrje për të gjithë faktorët politikë, jopolitikë, shoqërore dhe ndërgjegjes qytetare për t’u bashkuar në këtë betejë, në këtë kauzë, që, natyrisht, është e gazetarëve, është e medias, padyshim është e politikës, por, mbi të gjitha, është e qytetarëve.

E mbyll duke thënë edhe një herë se këtu nuk na bashkon thjesht dhe vetëm simpatia, dëshira për të mbrojtur gazetarët, për të mbrojtur luftëtarët e fjalës së lirë. Na bashkon diçka shumë më fondamentale, interesi publik.

Përpjekja për të shkatërruar një nga instrumentet kryesorë të demokracisë, që është mirë informimi i qytetarëve, është thjesht kriminale dhe duhet të ketë një përgjigje totale, frontale dhe proporcionale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb