TIRANË- Qeveria nuk do të rrisë taksat gjatë vitit 2016. Paketa e re fiskale që do të shoqërojë projektbuxhetin e vitit 2016 do të ketë lehtësi për dy industri, atë të turizmit dhe artizanatit, ndërsa parashikon edhe rregullime procedurash për industri të tjera.

Sipas burimeve nga ministria e Financave, qeveria po përgatit një paketë të ngjashme me atë të fasonëve për sektorin e turizmit, që parashikon aplikimin e TVSH-së së reduktuar për strukturat akomoduese, kërkesë kjo e vazhdueshme e grupeve të interesit.

TVSH për turizmin është propozuar 10 %, por është në fazë diskutimi. Paketa parashikon vendosjen e taksës fikse 100 lekë për fjetjen dhe mbështetjen me kredi të buta për bizneset që duan të investojnë për përmirësimin e infrastrukturës. Strukturave akomoduese do t’u lihet një periudhë 18 mujore për të aplikuar për klasifikimin sipas yjeve.

Pak ditë më parë dhe ministri i Financave, Shkëlqim Cani siguroi se me paketën e re do të bëhen vetëm rregullime metodologjike dhe se nuk do të kishte rritje taksash. Sipas tij, për ndjekjen e kësaj politike ishte rënë dakord edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb