Nga: VJOLLCA KONGJONI*
TIRANE – Drafti i ri i paketës fiskale për vitin 2016, i hartuar nga qeveria, parashikon një rritje të taksave për akcizën e produkteve vendase të birrës dhe verërave. Por ndonëse ky draft nuk është ende përfundimtar, biznesi i kërkon qeverisë të tregohet e kujdesshme me prodhuesit vendas, pasi rritja me 11% e akcizës për këto produkte penalizon biznesin vendas. Sipas presidentit të “BiznesAlbania”, Luan Bregasi, biznesi vendas është në fillimet e veta dhe ka nevojë për mbështetje dhe jo rritje të taksave.

“ Ideja është që qeveria bën përpjekje për ta afruar këtë gjë por ne mendojmë që është ende herët pasi biznesi vendas është ende në fillimet e veta pavarësisht stadeve që ka arritur. Ka nevojë të investojë më shumë në përmirësimin e cilësisë së produkteve në fushën e marketingut që ndoshta tendenca për ti afruar do ta penalizonte biznesin vendas. Sigurisht jemi në negociata akoma. Propozimi është që të rritet akciza e prodhimit vendas 11 % dhe të ulet akciza e prodhimit të importit 14 % që do të thotë është gati 25 %.”- deklaron Bregasi.

Komuniteti i biznesit vijon t’i kërkojë qeverisë edhe uljen e taksës për Turizmin, sikurse edhe ka premtuar. Por kjo kërkesë nuk mund të merret nga qeveria pa vendimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
“TVSH-ja për turizmit është propozuar të jetë 10 %, ka qenë një propozim për tu bërë 5 % sepse vendet e rajonit e kanë gati 6% mesatarisht ne duam që në rast se do bëhet të bëhet tamam kjo gjë. Pritet mendimi i FMN-së ne besoj se qeveria do ta ketë këtë mirëkuptim.”- tha Bregasi.

Për paketën e re fiskale të 2016-ës, biznesi ka përgatitur edhe kërkesa të tjera që lidhen me kodin e procedurës tatimore dhe lehtësirat përsa i përket burokracisë së administrimit fiskal.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: