Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, gjatë seancës së sotme në Parlament, foli mbi Reformën në Drejtësi. Ai tha se kjo reformë është duke ecur në rrugën e duhur, duke shtuar se shumë shpejt, me miratimin e paketës me 10 ligje, do të ulen ndjeshëm çështjet që presin për t’u gjykuar.

Paketa që pritet të miratohet në Kuvend, sipas Xhafajt, synon ndër të tjera mbështetjen financiare për strukturat e SPAK.

“Sa herë gjendem këtu dhe flas për Reformën në Drejtësi, duhet thënë që është emocion ndryshe pasi flitet për fatet e dekadës ku kemi hyrë dhe të tjerat që do të pasojnë. Kjo ndjesi më ka përndjekur gjithmonë sepse flitet për të ardhmen tonë dhe fëmijëve tanë. Ose do të shkojmë para drejt sistemit të ri që jemi nisur, ose do të kthehemi pas tek sistemi i vjetër që mbyti shpresën e shqiptarëve. Reforma në Drejtësi është e prekshme. Është në udhën e duhur. Një Reformë kaq komplekse do të ketë problemet e veta në zbatim Kjo do të sjellë rritjen e eficencës në sistemin e Drejtësisë. Kjo paketë do të ndihmojë në uljen ndjeshëm të çështjeve që presin me dhjetëra e dhjetëra vite për t’u gjykuar. Përmes kësaj pakete hidhet një hap tjetër që synon mbështetjen financiare e SPAK. Kjo mbështetje nuk duhet të shihet nga institucionet e drejtësisë si qoka që ne bëjmë ndaj tyre, por si një përpjekje për të bërë detyrën me përgjegjësi dhe profesionalizëm. Ka ardhur momenti që institucionet e reja të drejtësisë të tregojnë përgjegjësi dhe të tregojnë rezultate, lufta ndaj krimit të organizuar nuk duhet të jetë thjeshte një bilanc shifrash, por një sfidë. Opinioni publik ka gjithë të drejtën të na shohë si realizues të kësaj Reforme por edhe si garantë ecjes së saj. Kjo betejë vijon të jetë prioritet kryesor i PS-së dhe do ta çojmë deri në fund”, tha Xhafaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb