Për shkak të përmbytjeve të gjata në Pakistan, prodhimi i drithërave pritet të ulet me 50 për qind në Sindh, e cila është provinca e dytë më e madhe prodhuese e produkteve bujqësore në vend dhe në Balochistan, që përbën 42 për qind të tokës së vendit.

Sipas vlerësimit të qytetarëve dhe ekspertëve, vetëm 10 për qind e fushave u pastruan nga ujërat pas përmbytjeve në zonën 161 kilometra të gjatë midis Jamshoro në mes të Sindhit të prekur nga përmbytjet dhe Larkanas në veri.

Një banor i fshatit Ali Bux Chandio, pranë Larkana, tha se për një muaj të gjitha fushat e tij ishin nën ujë në nivelin e belit, duke thënë se ai kishte humbur të gjitha të mbjellat e gatshme për korrje.

Duke folur për një rrezik të dytë në rajonin ku ujërat e përmbytjeve, që prekën një të tretën e vendit dhe ku vende-vende arrijnë në 1-2 metra, Chandio tha: “Po përjetojmë dy efekte të ndryshme të përmbytjes. Nga njëra anë humbëm atë që kemi mbjellë në verë për shkak të shiut të madh dhe përmbytjeve dhe nuk kemi mundur të mbjellim produktet tona në dimër, sidomos drithërat”.

Duke theksuar se edhe nëse ujërat tërhiqen, rifillimi i aktiviteteve bujqësore është i kushtueshëm, Chandio tha: “Shumica prej nesh nuk kanë para për të blerë fara, plehra, karburant dhe produkte të tjera për shkak të humbjes së të korrave verore”.

– Humbjet në sektorin e infrastrukturës dhe bujqësisë llogaritet të jetë 40 miliardë dollarë

Mohammad Younas Leghari, një fermer që jeton në rajonin e goditur nga përmbytjet Sehwan, deklaroi se uji ishte tërhequr në disa nga fushat e tij dhe se ai do të mbillte 5 kilogramë fara sinapi në këto fusha.

Duke shpjeguar se mustarda ka arritur nivelin për t’u korrur në 3 muaj, Leghari tha: “Kam shpenzuar të gjitha paratë e mia për fara. Do të gjej mënyra për të mbijetuar për 3 muaj. Unë i besoj këtij investimi. Për ne ky investim është një betejë për mbijetesë”.

Sipas shifrave zyrtare, 38 për qind e rreth 230 milionë banorëve të Pakistanit e fitojnë jetesën nga bujqësia. Pavarësisht se është një prodhues i rëndësishëm i drithit, Pakistani është gjithashtu i varur nga drithi ukrainas dhe vlerësohet se ka një humbje prej 40 miliardë dollarësh në infrastrukturë dhe sektorin e bujqësisë.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, parashikohet që 10 milionë njerëz në vend të bien nën kufirin e varfërisë për shkak të humbjeve në bujqësi.

– Humbje 75 për qind në pambuk, 30 për qind në kallam sheqeri

Zyrtari i Bordit të Fermerëve të Shtetit të Sindhit, Mahmood Nawaz Shah theksoi se inflacioni në vend, i cili arriti në 30 për qind, mund të rritet për shkak të humbjes së produkteve bujqësore. “Sipas vlerësimeve tona, vetëm 50 për qind deri në 60 për qind e tokave bujqësore janë gati sërish për veprimtari bujqësore”, tha ai.

Duke theksuar se 26,8 milionë tonë të synuar të prodhimit të drithit për vitin e ardhshëm para përmbytjes është bërë një objektiv i pamundur për shkak të përmbytjeve në Sindh dhe Balochistan, Shah tha: “Vetëm në Sindh presim që prodhimi i grurit të ulet më shumë se 40 për qind”.

Duke thënë se sezoni i gjatë i verës me ngrohjen globale do të ketë efekte, Shah nënvizoi se ndërsa Sindhi plotëson 55 për qind të nevojave të vendit për qepë, 90 për qind e arave me qepë janë prekur nga përmbytjet.

Shah tha se 75 për qind e fushave të pambukut dhe 30 për qind e fushave të kallam sheqerit u prekën nga përmbytjet.

Zyrtari i Departamentit të Shëndetësisë në provincën Balochistan, Dhani Bux Bugti, tha se zona të rëndësishme bujqësore në provincë janë ende nën ujë.

Duke informuar se prodhimi i drithit në provincë do të ulet me 50 për qind, Bugti deklaroi se përmbytja ka goditur edhe sistemin e vaditjes, dhe se tre kanalet më të rëndësishme vaditëse janë tejmbushur dhe janë dëmtuar nga përmbytjet.

– 150 mijë tonë nga 220 mijë tonë hurma u dëmtuan nga përmbytjet

Edhe prodhimi i hurmave në të dy provincat u dëmtua nga përmbytjet në masën 80 për qind.

Kryetar i Shoqatës së Tregtarëve të Hurmave në Khairpur, një nga qendrat më të rëndësishme të prodhimit të Pakistanit dhe prodhuesi i 5-të më i madh i hurmave në botë, Mohammad Bashir Arain, deklaroi se pritshmëria ishte 220 mijë tonë këtë vit.

Arain tha se 150 mijë tonë hurma u shkatërruan nga përmbytjet.

Provinca Sindh në Pakistan prodhon mbi 4 milionë tonë drithë në vit. Balochistani, i cili përbën 42 për qind të tokës së vendit, tërheq vëmendjen si me pasuritë e tij nëntokësore ashtu edhe me prodhimin bujqësor.

Për shkak të përmbytjes në të cilën vdiqën rreth 1.700 njerëz, prodhimi i drithit pritet të ulet me 50 për qind në provincën Sindh, që është prodhuesi i dytë më i madh i drithit në vend, dhe në provincën më të madhe të Pakistanit në Balochistan.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb