PAKISTAN- Një protestë e madhe është mbajtur në Pakistan kundër revistës satirike franceze “Charlie Hebdo”, pas publikimit të fundit të karikaturës së Profetit Muhamed.

Demonstruesit kanë mbushur dy rrugët kryesore të Islamabadit por edhe në qytete të tjera. Shumica e protestave të mbajtura gjatë së premtes ishin paqësore, përveç njërës në qytetin-port, të Karachi, ku rreth 200 demonstrues u përleshën me policinë përpara konsullatës franceze.

Protestuesit filluan të hidhnin gurë mbi policët, të cilët u përpoqën të përdornin gaz lotsjellës dhe topat e ujit për ti shpërndarë. Një fotograf i ri i Agjencisë franceze të lajmeve AFP është plagosur së bashku me tre të tjerë.

Protestuesit ishin kryesisht studentë të lidhur me partinë politike Xhemati-e-Islami. Qeveria e Pakistanit e ka dënuar sulmin më 7 janar në zyrat e “Charlie Hebdo” në Paris që vrau 12 njerëz. Por shumë në Pakistan, një vend me shumicë dërrmuese myslimane, i shohin karikaturat e revistës si një fyerje thellë e Islamit.

Faqja e parë e numrit të fundit të revistës tregon Profetin Muhamed me çallmë, duke derdhur një lot të madh dhe duke mbajtur një shenjë që lexon “Unë jam Charlie”.
Titulli thotë: “Gjithçka është falur”.

Protesta ndaj revistës satirike franceze ka patur edhe në Turqi dhe vende të tjera me popullsi myslimane.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb