Nëntëmbëdhjetë persona të tjerë, përfshirë nëntë fëmijë, humbën jetën nga reshjet dhe përmbytjet në gjithë Pakistanin në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm në mbi 1.200, sipas statistikave zyrtare të publikuara.

Dymbëdhjetë vdekje u raportuan në Sindhin jugor, katër në Khyber Pakhtunkhwa dhe tre në provincën Balochistan.

Gjithsej 1.208 njerëz kanë vdekur, përfshirë 416 fëmijë, dhe 6.082 janë lënduar që nga mesi i qershorit, kur vendi u godit rëndë nga shirat e dendur dhe përmbytjet pasuese, tha Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive të vendit (NDMA).

Reshjet e rrëmbyeshme dhe përmbytjet kanë prekur mbi 33 milionë njerëz në 80 rrethe në të gjithë vendin, tha NDMA.

Shirat e vazhdueshëm dhe përmbytjet e furishme kanë shkatërruar tashmë një pjesë të madhe të infrastrukturës dhe tokave bujqësore në të gjithë vendin, duke përfshirë dhjetëra mijëra shtëpi, rrugë dhe ura.

Sipas NDMA-së, 472.313 njerëz janë zhvendosur në kampe të strehimit, kurse 121.630 njerëz janë evakuuar nga zonat më të prekura.

Përmbytjet e mëdha kanë shkaktuar gjithashtu dëme në mbi 1,17 milion shtëpi, prej të cilave 436.307 janë shkatërruar plotësisht. Fatkeqësia ka shkaktuar po ashtu ngordhjen e mbi 733 mijë kafshëve.

Ndërkohë, ndihma humanitare për Pakistanin pas përmbytjeve shkatërruese ka vazhduar.

Një tjetër avion turk me ndihma u ul në aeroportin ndërkombëtar Jinnah të Karaçit të enjten mbrëma.

Ky është dhjeti nga fluturimet e tilla nga Türkiye që transportojnë tenda, pako ushqimore, ushqim për fëmijë, batanije dhe mallra të tjera ndihmash.

“Pakistani është mirënjohës ndaj qeverisë dhe popullit të Türkiye-s për këtë mbështetje të vlefshme në këtë kohë katastrofe të paprecedentë”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme.

Vendi ka marrë gjithashtu ndihmë humanitare nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari dhe Uzbekistani.

Ministri i Brendshëm turk Süleyman Soylu dhe ministri i Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike, Murat Kurum, mbërritën në Islamabad sot në mëngjes për t’u takuar me homologët e tyre.

Soylu dhe Kurum u mirëpritën nga ministrat federalë pakistanezë Rana Sanaullah, Sherry Rehman, Ahsan Iqbal dhe ambasadori i Türkiye-s në Pakistan Mehmet Paçacı.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb