Dy alpinistë çekë dhe një pakistanez, të cilët ishin bllokuar për shkak të motit të keq në malin Rakaposhi në veri të Pakistanit, janë shpëtuar nga autoritetet e vendit.

“Wajidullah Nagri dhe dy alpinistë të tjerë, Peter Macek dhe Jakub Vicek, të cilët ishin bllokuar për shkak të motit të keq në një lartësi prej 6.900 metra në Rakaposhi, janë shpëtuar përfundimisht nga aviacioni i ushtrisë pakistaneze”, tha Karrar Haidri, sekretar i përgjithshëm i Klubit të Alpinistëve të Pakistanit, organizata zyrtare e alpinizmit në vend.

Alpinistët u bllokuan javën e kaluar kur zbritën pasi arritën lartësinë 7.788 metra në Rakaposhi, që është e vendosur në rajonin Gilgit-Baltistan, i cili kufizohet me Kinën fqinje.

Operacioni i shpëtimit zgjati disa ditë për shkak të motit të keq pasi alpinistët zbritën 1.000 metra më poshtë për t’u transportuar nga helikopterët e ushtrisë.

Sende ushqimore dhe litarë u hodhën nga helikopterët për të ndihmuar alpinistët e bllokuar të mbijetojnë.

Në muajin shkurt, alpinisti ikonik i Pakistanit, Muhammad Ali Sadpara, John Snorri nga Islanda dhe JP Mohr nga Kili humbën jetën në përpjekje për t’u ngjitur në majën e dytë më të lartë në botë “K2”.

Rajoni Gilgit-Baltistan është në bashkërrjedhjen e vargmaleve më të mëdha botërore, Karakoram.

E pasur me histori, kulturë dhe bukuri natyrore, zona e cila po ashtu mbeti një qendër e rivaliteteve midis perandorive ruse, britanike dhe kineze, gjatë shekujve ka qenë një qendër e admirimit të udhëtarëve dhe turistëve të aventurës.

Në këtë rajon ndodhen gjashtë maja mbi 8 mijë metra, përfshirë maja “K2”.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb