Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e ka cilësuar “pakon e madhe’ të qeverisë, për pensionistët dhe kategoritë në nevojë, një lëmoshë të helmatisur që bëhet për zgjedhjet lokale.

Ai tha në një konferencë për mediat se qytetarët nuk mashtrohen.

“Kjo është një paketë qesharake në raport me paketat që i ka dhënë klientëve të saj dhe vetvetes, në raport me vjedhjet e përbindshme që iu ka bërë shqiptarëve, me rritjen e taksave. Shqiptarët nuk do të mashtrohen nga këto lëmosha të helmatisura. Ata e dinë se përgjegjëse e vetme është një dhe vetëm një; qeveria e Rilindjes.”, tha Meta.

Mes të tjerash Meta pohoi se në 14 maj do i jepet përgjigja më e fortë Ramës, duke shtuar se në 15 maj do të instalohet llogaridhënia.

“Nuk kemi iluzione se gara e 14 majit do jetë e barabartë. Rama me ato krime që ka kryer, me ato koncesione, do të pranonte një garë të barabartë dhe mos të përdorte shtetin e inkriminuar. Ne jemi të sigurt se shqiptarët do japim përgjigjen e merituar këtij menaxhimi mafioz të pushtetit vendor. Në këto 4 vite pushteti vendor jo vetëm që ka qenë një pushtet i paligjshëm, por bunker për qytetarët. Rilindja ka pasur të gjitha përgjegjësitë dhe këshillat lokale, por mos të harrojmë se pjesa më e madhe e bashkive kanë shpallur falimentimin. Vetëm ç’kapja e shtetit do t’i japë frymëmarrje shtetit. Do jepet llogaridhënie që është përjashtuar nga Rilindja në çdo nivele. Zgjedhjet e 14 majit janë tmerr për Ramën. 15 maji do të instalojë llogaridhënien në nivel lokal dhe në kombëtar.”, tha ai.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb