Personazhi i ditës në botën shqiptare është Albin Kurti. Ai korri në zgjedhjet e datës 14 shkurt një fitore spektakolare, një nga ato fitore që shenjojnë funde regjimesh e paralajmërojnë epoka të reja. Me këtë fitore ka bërë për vete edhe kritikë, të cilët nuk pritën gjatë për të kërcyer në karron e fitimtarëve dhe për t’iu bashkuar korit të atyre që Albinin e konsiderojnë një hero, supermen, gjeni, mesia, apo ku di unë çfarë. Dhe harrojnë se bëhet fjalë veç për një fitore zgjedhjesh. Puna e Albin Kurtit sapo ka filluar. Ndërsa lëvdatat e hosanatë janë të tilla që të bëjnë të mendosh se Albin Kurti e bëri ç’kishte për të bërë. Ai e shpëtoi Kosovën. “Madje edhe Shqipërinë (!!!)”, po thonë disa. Tani i përket historisë. Është pak për të qeshur, apo jo? Ne të gjithë duhet t’i urojmë sukses (unë ia uroj nga zemra, meqë ra fjala), por ca e ca kanë merak t’i thonë: “Bacë, u kry! E qite Kosovën në dritë.”

Me sa duket, të gjithë janë të sigurt se ai do të shkëlqejë në punën që iu besua. Edhe vetë Albini është po aq i sigurt. Madje, më i sigurt sesa mbështetësit e vet. Dhe ky do jetë problemi i parë i tij në qeverisje. Ka krijuar pritmëri të mëdha. Nuk ka pengesë më të madhe në punën e një kryeministri rishtar sesa pritmëritë e mëdha. Albini nuk ngjan se është i shqetësuar, megjithatë, duke dhënë kështu një provë tjetër se ai arrin ta shohë atë që do të arrijë pas katër vitesh. Dhe çfarë ai arrin të shohë është lule, lule, veç lule. Nëse është kështu, kam frikë se është duke jetuar një moment deluzional, a në një botë alternative. Është efekti i drogës prej fitores. Me t’i kaluar ky efekt, do të bindet se gjërat nuk janë aq të thjeshta sa i mendon. Njerëzit nuk i ngop dot “pakorruptueshmëria” e tij. Për ca muaj, kjo “pakorruptueshmëri” edhe vlen. Por më pas, njerëzit do të kuptojnë se duan punë për vete e për fëmijët, duan mirëqenie, duan që Kosova të bëhet një me kombet e tjera, e kështu me radhë.

Po ndalem pak te “pakorruptueshmëria” e Albin Kurtit që është shndërruar në një legjendë, tanimë. Mbështetësit e tij e vënë dorën në zjarr për këtë gjë, por unë do të nguroja shumë. Rezerva ime nuk ka lidhje me Albinin, të cilin e çmoj në atë masë sa, në realitetin kosovar, do më dukej OK edhe i korruptueshëm. Ka lidhje me një bindjen time se të gjithë njerëzit janë të korruptueshëm. Nëse do më kërkonin të bëja një listë me ca të vërteta të mëdha mbi sojin e njeriut, një ndër më të parat në këtë listë do të ishte pohimi se njeriu është i korruptueshëm. Është nga natyra i tillë. Është nga Zoti, do na thoshin të krishterët. Në fakt, një nga mësimet që nxirren prej Testamentit të Vjetër është edhe ky: “Njeriu është moralisht i paarrirë, i papërsosur. Është i dënuar të jetë i tillë.”

Përveç kësaj, kam edhe një bindje tjetër. Më të korruptueshmit mes njerëzve janë ata që kanë shumë pushtet. Sepse këta të fundit, përveç tundimit që nuk i lë të qetë (sepse janë njerëz), i cyt fort edhe ideja se mund të bëjnë ç’të duan pa u hyrë gjemb në këmbë, për shkak të imunitetit e impunitetit (sepse kanë pushtet). Nëse një njeriu me shumë pushtet nuk i shkon mendja të korruptohet, atëherë dijeni se në kokën e tij ka zënë vend një qëllim edhe më i lig, ka zënë vend ideja për ta përdorur “pakorruptueshmërinë” e tij si njëatú për të realizuar një projekt ku e ku më të madh. Enver Hoxha, fjala vjen, nuk ishte i korruptuar (nëse me korrupsion kuptojmë abuzimin me pushtetin për të vënë pasuri të madhe, e cila do të trashëgohet nga të tutë). Por ai pati si qëllim sundimin e plotë e të gjatë, me fjalë të tjera pati për qëllim të vinte/mbante nën thundrën e tij gjithë vendin. Para një qëllimi të tillë etja për pasuri i ngjante me një tekë fëmijësh. Përfundimi? Ai doli më rrezikzi se çdo i korruptuar.

Të kesh shumë pushtet, apo të gjithë pushtetin, është rrethana më e parë që ta bën të kollajtë, ndoshta edhe të kuptimtë, korruptimin. E kam thënë edhe diku tjetër, se tundimi për të abuzuar me pushtetin është po aq natyral sa edhe të urinuarit te njeriu. Është një frazë e thënë nga Lordi Acton, që kalon gojë më gojë prej më shumë se një shekulli: “Pushteti të korrupton, por pushteti absolut të korrupton absolutisht”. Sic! Kështu, edhe sikur unë të besoja për një çast se Albini ha bukë veç, se ai është me të vërtetë i pakorruptueshëm, se ai ka dalë nga shpura e Jezu Krishtit (apo e Muhametit, nëse këtë të fundit Albini e ka më shumë për zemër), gjërat do më ngatërroheshin në momentin që do ta përfytyroja atë ashtu siç është, me shumë pushtet, më saktë me të gjithë pushtetin. Përveç pushtetit ekzekutiv, që në vende të ngjashme me Kosovën është i pakontrollueshëm, ai ka me vete në këtë moment edhe entuziazmin popullor për ndryshim, që do të qëndrojë ndezur për ca kohë. Ky entuziazëm ka vlerën e një licence dhënë Albinit për ta bërë Kosovën sipas shijes e qejfit të vet.

Ka edhe një gjë tjetër. Albin Kurti mbahet, dhe e mbajnë, si njeri me frymëzime e motivime të larta e të fisme, shkurt si idealist. Unë kam një problem me këtë soj njerëzish, domethënë me ata që besojnë (apo duan që të tjerët të besojnë) se idealet janë të vetmet motivime të tyre, e se për këto ideale janë të gatshëm të sakrifikojnë çdo gjë. Idealistët më pëlqejnë më shumë në libra, e më pak në jetën e përditshme. Njerëz të tillë, kur arrijnë majat e pushtetit, ka rrezik t’i mbushin mendjen vetes se askush si ata nuk e meriton të qëndrojë në pushtet. Kështu, u lind natyrshëm dëshira për më shumë pushtet, apo për të gjithë pushtetin. E bukura është se “të gjithë pushtetin” e duan për të mirën e të tjerëve, jo për të mirën e vetes. Dhe kur vjen puna në këtë pikë, ata s’e kanë për gjë të mendojnë se mund të bëjnë çdo poshtërsi për një të mirë (nën shembullin e Raskolnikovit të Dostojevskit), apo në përgjithësi, për të mirën publike, të mendojnë se vullneti i tyre i mirë, pozitiv, i virgjër, vlen më shumë sesa rregullat e lojës, ligji, kushtetuta, institucionet, apo vullneti i shumicës. Dhe zënë e i shohin këto të fundit si barrë, bezdi, pengesa. Si rrugëzgjidhje gjejnë t’i marrin për optional.

Lidhur me korrupsionin, ka edhe një keqkuptim këtej nga anët tona, ku bëhet debat e zhurmë e madhe mbi korrupsionin e kryer në nivelet e larta. Kjo është edhe loja që ka bërë Albin Kurti. Por në këtë mes injorohet një gjë. Nuk diskutohet që është një korrupsion i dënueshëm (nuk kemi pse t’i falim ata, të cilëve u kemi besuar administrimin e punëve, halleve e parave tona, e të cilët e tradhtojnë këtë besim), por në të njëjtën kohë është më i parëndësishmi, dhe më pak i dëmshmi. Nuk ka lidhje “të drejtpërdrejtë” me qytetarët. Këta të fundit (nëse nuk bien në grackën e narrativës mbi oligarkët e mbi ministrat që vjedhin) kanë për shqetësim faktin që u duhet të paguajnë në çdo zyrë apo për çdo zyrtar. Qytetarëve u duket një çështje e largët diskutimi mbi tendera disa dhjetëra milionë euro. Ata preken personalisht, e deri në palcë, kur u duhet t’i mbyllin gojën me një shuk lekësh policit, doktorit, infermierit, gjyqtarit, pedagogut, doganierit, apo çdo zyrtari tjetër për çdo shërbim që këta do duhej t’ia jepnin falas, e me përulësi. Ky është korrupsioni i ditëpërditshëm, që qytetari nuk e ka me “t’nigjume”. E prek atë vetë. Dhe është ky korrupsion që nuk ndodh në vende normale. Sa për korrupsionin e niveleve të larta, ai ekziston kudo. Nëse gjetkë ka korrupsion më të ulët, kjo vjen sepse ka institucione që kontrollojnë e ndëshkojnë (prokuroria, policia, gjykatat, mass-media etj., etj.). Korrupsioni në vendet skandinave (që janë me indeksin më të ulët të korrupsionit) nuk luftohet nga qeveritë e kryeministrat. Kryeministrat nuk kanë asgjë në dorë në këtë betejë. Ah, e vetmja gjë që kanë në dorë të bëjnë është të korruptohen. T’ia besosh luftën kundër korrupsionit një njeriu të vetëm me pushtet, përsëris: një njeriu me pushtet, dhe të besosh se sa më shumë pushtet t’i japësh, aq më mirë është në funksion të luftës kundër korrupsionit, do të thotë të kesh rrjedhur nga trutë e kokës.

Këshilla që unë do t’i jepja Albin Kurtit në këtë mes do të ishte shumë e thjeshtë: Kosova nuk ka nevojë për një Robespier, prej të cilit pritet të ngrejë trupa sans-culotte-ësh, gjykata të posaçme apo ndonjë komitet të shpëtimit publik. Nuk ka nevojë për një qeverisje revolucionare. Kosova ka nevojë të ngrejë institucione. Sepse ky është kryeproblemi: mungesa e institucioneve. Korrupsioni, nëse përbën përparësinë numër një për Kosovën (unë kam dyshime lidhur me këtë; mendoj se ka përparësi të tjera), nuk luftohet me ndihmën e ndonjë dore të fortë. Luftohet veç me ndërtimin e institucioneve. Këto të fundit janë gjëja më e rëndësishme. Nëse Albin Kurti synon të hyjë në histori, ai duhet të ndërtojë institucione të besueshme, e jo një republikë të pamundur e të rreme morali. Dhe për t’i bërë të besueshme, ato duhen ndërtuar me një frymë jopartizane. Duhen ndërtuar për të mos u prishur më, edhe kur Albini të mos jetë më në pushtet. Ngjarjet amerikane na treguan se institucionet janë të rëndësishme. Janë e vetmja gjë e rëndësishme. Amerikën, që u rrezikua pas zgjedhjeve, nuk e shpëtuan individë të caktuar. Përkundrazi, ishte një individ i caktuar që e vuri në rrezik. Dhe sikur të mos ishte për gjykatat, ky individ do ta kishte bërë lesheli gjithë vendin e vet, ndoshta edhe gjithë botën. Sepse gjithçka tjetër ra përballë fuqisë, karizmës e ligësisë së tij. Ra deri edhe Partia Republikane, që është një nga partitë me historinë më të lavdishme në botën perëndimore. Ra sikur të mos kishte ekzistuar kurrë. Hiq një grusht njerëzish brenda saj, të tjerët iu ulën Trump-it në gjunjë. Dhe ashtu janë ende, në gjunjë. Pse? Sepse njeriu, amerikan apo shqiptar qoftë, është i korruptueshëm. Në rastin amerikan, të gjithë po mendojnë të mirën individuale, jo të vendit të tyre. Duan të hipotekojnë rizgjedhjen në Kongres, apo karrierën në përgjithësi, e cila garantohet veç nëse i qurravitenTrump-it të fuqishëm.

Shkurt, atje rreziku ishte një individ, dhe shpëtimi erdhi prej institucioneve. Ndërsa ne duam t’i bëjmë gjërat me kokëposhtë: “Nuk i çajmë kryet për institucionet; shpëtimin e presin nga një njeri i vetëm.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: