Sime Vrsaljko po, Arturo Vidal ndoshta po. Për kroatin është thjesht çështje kohe, ndërsa për kilianin duhet durim. Interi është duke punuar për të plotësuar grupin e lojtarëve për sezonin e ardhshëm. Fjalët e Spaletit përpara ndeshjes me Zenitin konfirmuan se të dy lojtarët janë në listën e dëshirave dhe për ta po punon drejtori sportiv Auzilio. Madje, ky i fundit ka marrë premtimin e “Sunigut” që do ta mbështesë financiarisht dhe do të japë një bonus që Spaletit të mos i mungojnë lojtarët dhe emrat për të arritur objektivat e sezonit të ardhshëm.

VIDAL, MË PRANË
Por le ta nisim më mirë me atë që përbën më shumë lajm në këto momente, Arturo Vidal. Ish-mesfushori i Juventusit dhe aktualisht pjesë e Bajernit ka kontratë deri në vitin 2019 dhe klubi gjerman e ka nxjerrë në shitje. Niko Kovaç nuk e konsideron pjesë të planeve dhe madje nuk do ta marrë në turneun miqësor në Amerikë. “Luftëtari” kilian ishte edhe vjet në bisedime me klubin zikaltër, por Ançeloti e bllokoi.

Duket se këtë herë palët janë më afër dhe ai është gati të veshë fanellën zikaltër. Mësohet se Auzilio ka qenë në Mynih dhe ka takuar agjentin e lojtarit për të kuptuar dëshirën e tij për një rikthim të mundshëm në Itali. Bajerni kërkon 30 milionë euro për kartonin e tij, ndërsa Interi është gati të ofrojë fillimisht 23 milionë. Javën e ardhshme pritet të ketë kontakte të vazhdueshme mes palëve për konkretizimin e marrëveshjes, por kiliani duket se ka pranuar Interin. Duket se tratativa e nisur një vit më parë mund të mbyllet tani. Më mirë vonë se kurrë…

VRSALJKO PO PRET
Dëshira e kroatit është e qartë. Sime Vrsaljko do vetëm Interin dhe prej kohësh ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit. Ai do të firmosë një kontratë 4-vjeçare dhe do të përfitojë 3.5 milionë euro në sezon. Nënkampioni i botës po pret që zikaltrit dhe Atletiko të gjejnë gjuhën e përbashkët. Pavarësisht se Simeone ka bërë bllokadë dhe ka rezistuar deri tani, duket se dëshira e lojtarit është kryesore në këtë marrëveshje. Drejtori sportiv Auzilio po përgatit ofertën e duhur për spanjollët, e cila është 6 milionë për huazimin dhe 16 për blerjen përfundimtare të kartonit të tij. 26-vjeçari ka nisur të ndihet një lojtar i Interit dhe në rrjetet sociale pëlqen fotot, që e veshin atë me fanellën e Interit. Një shenjë që afron më shumë kroatin me dy shokët e tij, Perisiç dhe Brozoviç. Për momentin ata janë duke shijuar pushimet pas mrekullisë që bënë në Botërorin e Rusisë, ku u shpallën nënkampionë.
Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/pakt-i-fshehte-me-vidalin-gati-nje-tjeter-dhurate-per-spaletin/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: