Nga: ORNELA MANJANI*
TIRANE – Qeveria shqiptare ka arritur një “marrëveshje” me Gjyka-tën e Strasburgut për pezullimin e shqyrtimit të të gjitha dosjeve të pronave me hyrjen në fuqi të ligjit të ri. Lajmi është bërë i ditur nga vetë kreu i qeverisë Edi Rama dje në Parlament. Nga ana tjetër kreu i Shoqatës Pronësi me Drejtësi, Myrshit Vorbsi, pohon se edhe pse qeveria shqiptare ka bërë një kërkesë për pezullimin e shqyrtimit, në Strasburg vijon procedura për të paktën 400 dosje. Sipas tij kërkesat që janë në shqyrtim edhe nuk mund të pezullohen.

Kryeministri
Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të enjte në Parlament se Gjykata e Strasburgut ka pezulluar shqy-rtimin e padive të reja të pronarëve kundër shtetit shqiptar. Sipas tij, qeveria ka arritur një marrëveshje me këtë gjykatë, e cila ka hyrë në fuqi njëkohësisht me ligjin e ri të pronave. “Dhe vonesa e shkaktuar me hyrjen e ligjit të pronave i dha Shqipërisë dhe një faturë shtesë financiare, por tashmë ligji është efektiv dhe gjykata nuk do të shqyrtojë më asnjë çështje të re”, deklaroi Rama. Sipas tij, Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka cilësuar çështjen e pronave si rrezikun më të madh për qëndrueshmërinë financiare të vendit, duke kërkuar gjetjen e një zgjidhje urgjente.

“E kemi gjetur zgjidhjen. Nuk është zgjidhja ideale, por është më e mira që mund të bënim”, tha Rama. “Kjo qeveri dhe kjo shumicë qeverisëse kanë venë në dispozicion të pronarëve dhe të zgjidhjes së problemit 500 milionë dollarë për 10 vitet e ardhshme dhe vetëm në buxhetin e këtij viti janë 30 milionë dollarë. Shuma më e madhe e krahasuar me çdo vit buxhetor në 20 e kusur vite lidhur me pronarët edhe pronat. Vonesa e shkaktuar në procesin e hyrjes së ligjit në fuqi i dha Shqipërisë edhe një faturë shtesë me gjyqe në Strasburg që vazhduan, pa na e mundësuar pezullimin për të cilin kemi negociuar me Strasburgun dhe i cili hyn në fuqi në momentin e pezullimit nga Gjykata Kushtetuese të ankesës dhe faktikisht sot ligji funksionon. Për shkak se sot ligji funksionon nuk ka vendime të reja të Gjykatës së Strasburgut”,-tha Rama. “E kemi zgjidhur çështjen e pronës. Nuk është zgjidhja ideale sepse zgjidhja ideale nuk ekziston, por është një zgjidhje konkrete, është një zgjidhje praktike, është një zgjidhje për të cilën vihen në dispozicion 500 milionë dollarë në 10 vjet. Një shumë që është kolosale në raport me mundësitë që ka Shqipëria, por që e përballon plotësisht formulën e zgjidhjes”,-tha kryeministri.

Pronarët
Kreu i Shoqatës Pronësi me Drejtësi Myrshit Vorbsi në një prononcim për “Gazetën Shqiptare” pohon se shqyrtimi i dosjeve në Strasburg vijon. Sipas tij janë mbi 400 dosje dhe shqyrtimi i tyre nuk mund të ndalohet. “Shqyrtimi i dosjeve në Strasburg vijon. Jemi në një situatë me dy standarde pasi dosjet që janë atje shqyrtohen me ligjin e vjetër, ndërsa këto që do të shkojnë do të shqyrtohen me ligjin e ri. Ne jemi në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Padyshim që e kundërshtojmë ligjin e pronës. Meqë qeveria nuk përballon koston e faturës me paratë e taksave le të marrë paratë e tokave që ka ndarë me ligjin 7501 dhe të kompensohen pronarët. Në asnjë vend të botës nuk mund të marrësh një tokë pa e paguar. Janë 600 mijë familje që kanë marrë tokë me këtë ligj dhe s’kanë paguar asnjë lekë. Janë edhe tokat që po jepen falas për legalizimet, të cilat janë përdorur në pesë fushata elektorale për të marrë vota dhe me to po bëhet fushatë edhe sot”, -thotë Vorbsi.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: