Presidenti Ilir Meta u shpreh se nuk i intereson aspak një marrëveshje e mundshme mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës për të zgjidhur krizën e thellë politike. Meta tha në “Syri.net” se e vetmja gjë që i intereson dhe zgjidhja e krizës duke i dhënë fund shtetit të propagandës dhe kthyer sovranitetin shqiptarëve.

“Ata e bënë njëherë një marrëveshje më 17 maj. Mua nuk më intereson fare marrëveshja Rama-Basha apo Rama-Basha-Kryemadhi, mua më intereson zgjidhja e krizës. Të zgjedhim deputet dhe jo servilë, që vijnë si dele e votojnë. Kjo është kapja e shtetit, nuk ka kapje më skandaloze. Shteti i propagandës shpik skandale të tjera. Prandaj, unë jam për t’u rikthyer sovranitetin shqiptarëve. Ajo që më intereson mua është vetëm një marrëveshje për t’iu rikthyer të drejtat shqiptarëve”, tha Meta.

Më tej, Kreu i Shtetit iu rikthye edhe ftesës së tij të kahershme që politikanët të bëjnë testin e drogës dhe të shëndetit mendor, duke filluar nga ai i pari.

“Për testin e drogës, Shqipëria ishte në një situatë të çmendur. Antagonizmi çfarë tregon? Normale nuk është të vijë vendi këtu ku është pas 30 vitesh. I kemi kaluar njëherë këto. Kjo situatë që vjen kaq e orkestruar nga lart, nga jashtë, duhet të ketë ca probleme të anormalitetit. E bëj unë testin i pari. Por ama ta bëjnë të gjithë.

Por këtu duket që ka probleme. Të gjithë këta që zgjidhen duke filluar nga Presidenti, Kryeministri, deputetë, zyrtarë, në të ardhmen duhet të përshihet në legjislacion që të bëjnë testin e drogës dhe të shëndetit mendor. Një ditë mund të thoni që Mujo Ulqinaku atë ditë kur hodhi armë ndaj pushtuesve ishte i dehur, por unë them se ishte patriot”, u shpreh Kreu i Shtetit.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb