Pas çdo ndeshje që Argjentina luan, shtohen zërat se kundër Icardi-t ekziston një pakt i heshtur për të mos e thirrur në kombëtare.

Në Argjentinë janë të bindur se Mauro Ikardi nuk grumbullohet nga kombëtarja e vendlindjes për motive që nuk kanë të bëjnë me atë çfarë ndodh në katërkëndëshin e blertë.

Gazetari Çerkis Bialo, i ka kushtuar dje një artikull të tërë kësaj çështjeje, të cilën e publikoi në gazetën argjentinase “Infobae”.

“Nëse Mauro Ikardi nuk do të ishte bashkëshorti i Vanda Narës, do të luante rregullisht në ndeshjen e radhës të Argjentinës. Ai do të ishte sulmuesi titullar kundër Kilit”, shkruan gazetari Çerkis Bialo.
Ikardi0Vanda
Bialo shkruan edhe për një pakt të heshtur mes protagonistëve kryesorë të kombëtares dy herë kampione bote. “Vendimi për të mos grumbulluar Mauro Ikardin është pasojë e një pakti të heshtur mes lojtarëve kryesorë dhe komisarit teknik të Argjentinës”, arsyeton gazetari, i cili pohon se justifikimet që përdor Bauza për të shpjeguar mungesën e pranisë së Ikardit në kombëtare janë qesharake.

Së fundmi trajneri i Argjentinës tha se Ikardi nuk bënte për skuadrën e tij pasi nuk ishte një lojtar që ndihmonte grupin. Me këtë tezë nuk bien dakord interistët dhe opinioni i gjerë, pasi të gjithë e dinë se 24-vjeçari, përveçse ka shënuar 19 gola, ka dhënë plot tetë asiste.

Bialo e mbështet tezën e tij duke nxjerrë në pah “shpirtin solidar” që ekziston në disa skuadra. “Dhomat e zhveshjes janë si një tribu. E bëj këtë krahasim pa dashur të keqkuptohem, por them se i një ngjan tribuje pasi aty ka lindur për herë të parë bashkëjetesa mes grupesh të caktuar njerëzish. Për të qenë pjesë e saj, ashtu si edhe tek Argjentina, duhet që të të pranojnë”, shpjegoi gazetari.

Bialo është i bindur se miqësia e fortë mes Maskeranos dhe Maksi Lopezit e “ka përjashtuar” Ikardin nga kombëtarja. Gazetari tregon se Maskerano është shumë mik i Mesit dhe ky i fundit do të bënte gjithçka për ta kënaqur. “Bauza nuk e grumbullon Ikardin pasi e shikon se fiton pak dhe humb gjithçka me këtë lëvizje. Ai e kupton se lojtarët nuk e duan Ikardin”, tha gazetari.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb