Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi, ka parë nga afër ambientet e përfunduara të konviktit të Vlorës, ku do të akomodohen studentet e universitetit Ismail Qemali.

Ministrja Kushi në një status në rrjetin social shprehet se falë një investimi të qeverisë shqiptare në kuadër të Paktit Për Universitetin, konvikti i vajzave në Vlorë është tashmë gati sipas kushteve më të mira bashkëkohore. Ajo vë në dukje se në këtë godinë nuk ishte vënë dorë që prej vitit 1960-të.

“Bashkë me kryetarin Dritan Leli dhe kolegen deputete & pedagoge Vilma Bello pamë nga afër një konvikt model, standardet e të cilit do të plotësojnë nevojat dhe rehatinë e 240 studenteve” – shkruan znj. Kushi.

Ky konvikt tashmë është pajisur me mobilje dhe orendi shumë të mira. Aty ka dhoma dyshe e treshe të standardizuara, dhoma të konceptuara për personat me aftësi ndryshe, kuzhina gatimi në çdo kat, salla studimi, depo, lavanderi, kaldajë, magazinë depo uji; shkalla emergjence.

Veç të tjerash në konvikt ofrohet edhe shërbimi Wifi, dhe monitorimi me kamera sigurie bëhet gjatë gjithë kohës. Gjithashtu, e gjithë godina është e pajisur me sistem mbrojtjeje kundra zjarrit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb