QAFË THANË

Dhjetëra punëtorë sezonalë ditorë vijojnë të jenë të bllokuar në pikën kufitare të Qafë Thanës, pasi kjo e fundit vijon e mbyllur prej ditës së djeshme nga pala maqedonase.

Lajmi bëhet i ditur për “BalkanWeb” nga gazetarja Lorena Kodra, e cila thekson se ende nuk ka asnjë urdhër se çfarë do të ndodhë.

“Jemi gati 150-200 veta që na kanë bllokuar prej dje. Ne mbajmë familjet me këtë punë, shteti të ndërhyjë. Kemi mbetur rrugëve, nuk kemi informacion se çfarë do të ndodhë, nuk japin shpjegime. Kemi në shtëpi fëmijët pa bukë, duam zgjidhje, shteti të ndërhyjë dhe flasë me këta”, kanë thënë punëtorët e bllokuar në pikën kufitare, raporton “BalkanWeb”.

Punëtorët sezonalë ditorë janë bllokuar në këtë pikë kufitare prej mëngjesit të djeshëm, kur pala maqedonase ka penguar hyrjen e tyre drejt Maqedonisë.

Mungesa e siguracionit dhe kontrata e punës, me të cilat punëtorët sezonalë ditorë nuk pajisen ka bërë që të ndalohen për të kaluar këtë doganë, duke u kthyer mbrapsht pa një afat kohor të caktuar se kur mund të udhëtojnë drejt këtij destinacioni.

Sipas burimeve, arsyeja tjetër e ndalesës së tyre lidhet edhe me faktin që një punëtor sezonal ditëve të fundit ka ndërruar jetë në vendin e punës në Maqedoni.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb