GJIROKASTER– Dy javë pas shembjes së baltës nga shpati i kodrës që përmbyti banesat e pallatit 8-katësh në lagjen ‘Kodra e Shtufit’ në Gjirokastër, banorët e saj kanë vendosur të ndërmarrin vetë iniciativën për largimin e baltës nga banesat e tyre.

Të revoltuar dhe të shqetësuar ata shprehen të pasigurt në pallatin që sipas tyre ka pësuar çarje nëpër korridoret e tij dhe në disa banesa duke shtuar tek ta frikën e shembjes së pallatit. Ndërsa prania e baltës prej më shumë se dy javësh ka shkaktuar lagështi në muret e banesave.

Mbledhja e fundit e shtabit të emergjencave në prefekturën e qytetit në datën 9 shkurt përcaktoi hartimin e një studimi të ri të Bashkisë Gjirokastër dhe hapat që do të ndërmerren për marrjen e masave, një ndër të cilat ishte dhe largimi i baltës.

Por pavarësisht kësaj, banorët shprehen të shqetësuar dhe mosbesues. Ka është hapi i dytë i ndërmarrë nga këta banorë, pas protestës të pak ditëve më parë në hyrje të qytetit.

Më herët, prefekti Gjirokastrës Astrit Aliaj në një prononcim për mediat i bëri thirrje banorëve që mos të kthehen në banesa edhe për disa ditë.

“Do të punojmë për largimin e baltës nga pallati. I rëndësishëm drenazhimi i ujërave. Banorët të qëndrojnë jashtë banesave edhe për disa ditë. Banesat më të dëmtuara do të dëmshpërblehen 100%,” u shpreh ai.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb