Një pallat në fshatin Pronovik në bashkinë e Poliçanit ka pësuar çarje dhe shembje të shumta në vitin 2012, si pasojë e rrëshqitjes së tokës. Shumë specialistë dhe grupe të Komisionit të Emergjencave Civile, pasi kanë mbërritur në zonë dhe kanë verifikuar dëmet e shkaktuara, kanë dalë në konkluzionin se pallati është në rrezik shembjeje, për shkak të rrëshqitjeve të shtresave të tokës.

Ata konkluduan se banorët duhet të dilnin menjëherë nga pallati pasi ishin të rrezikuar, ndërkohë që tërmeti i datës 26 Nëntor 2019 i dha të tjera goditje e shembje të mëdha këtij pallati.

Katër familje kanë pranuar të dalin nga pallati dhe të jetojnë në banesa të tjera të zonës, ku vetëm dy prej tyre kanë pranuar pagesën e qerasë mujore nga bashkia Poliçan, ndërkohë që 4 familje vijojnë ende të jetojnë mes mureve të çara dhe pallatit të dëmtuar, duke rrezikuar çdo ditë jetën e tyre.

Banorët deklarojnë se që prej ditës që pallati u ça dhe dëmtuar, ata nuk kanë përfituar asnjë lekë nga qeveria, edhe pse verifikimi i dëmeve u krye në mënyrë të rregullt. Banorët kanë 10 vjet që iu drejtohen zyrave të shtetit, ku nuk kanë gjetur ende asnjë zgjidhje. Në këto kushte ata kërkojnë nga bashkia Poliçan dhe Ministria që t’u paguajnë vlerën e plotë të dëmeve, të përcaktuar nga vetë grupi i ekspertëve, në mënyrë që të blejnë një banesë tjetër. Ata nuk kanë pranuar largimin me shtëpi me qira në qytetin e Poliçanit, pasi në Pronovik kanë tokat dhe pronat e tyre. Sipas banorëve, në qoftë se nuk çelet fondi i akorduar ata kërkojnë nga bashkia Poliçan ndërtimin e një pallati të ri për këto 8 familje, po në fshatin Pronovik.

Në lidhje me këtë shqetësim, ka reaguar edhe bashkia e Poliçanit Drejtoresha Juridike në bashkinë Poliçan, Desantila Zaimi ka deklaruar se bashkia u ka ofruar banorëve ndihmën për pagesën e qirave mujore, deri në dorëzimin e plotë të vlerës prej 7 milion lekësh (të vjetra) për çdo familje, vlerë kjo që është akorduar nga fondi i emergjencave të kësaj bashkie. Sipas Zaimit, kjo vlerë është çelur vetëm nga fondet e bashkisë Poliçan, ndërkohë që Ministria nuk ka akorduar asnjë qindarkë deri tani për këto familje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb