* Dha lejen e ndërtimit për pallatin, Bashkia procedon ish-kreun e Komunës Farkë, Fatbardh Plaku

TIRANE- Një pallat në zonën e Kopshtit Botanik në kryeqytet rrezikon të shembet. Shkak janë bërë rrëshqitjet e dherave, pas punimeve të lëna përgjysmë prej një viti e gjysmë nga një firmë ndërtimi.

Sakaq, bëhet e ditur se kjo firmë ka gërmuar shumë pranë pallatit, i cili tashmë rrezikon të shembet.

Në gjendje alarmante, banorët e këtij pallati kanë njoftuar me urgjencë policinë, e cila sapo mbërriti në vendngjarje nisi evakuimin e tyre. Nga të dhënat paraprake mësohet se evakuimi i rreth 20 familjeve ka nisur që ditën e djeshme, ndërsa disa prej tyre nuk kanë pranuar të lënë shtëpinë.

“Nuk iki nga shtëpia, pasi jam i bindur që pallati nuk do të shembet”, pohoi për gazetaren e News24, Marsela Karapanco, një nga banorët e këtij pallati.

Ndërkohë, në vendin e ngjarjes përveç pranisë së Policisë së Shtetit dhe asaj Bashkiake, janë dhe ambulanca, ndërsa punonjës të OSHEE po punojnë për të shkëputur energjinë elektrike, dhe për të marrë masa në çdo lloj rreziku.

Vetëm 3 ditë më parë, ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, urdhëroi mbledhjen e Shtabit të Emergjencave, pasi strukturat ishin sinjalizuar për këtë pallat. Fill pas kësaj mbledhje, u dje nisi dhe evakuimi i banorëve, të cilët u strehuan në një prej hoteleve në atë zonë.

PALLATI TEK KOPSHTI BOTANIK, BASHKIA E TIRANËS PROCEDON NDËRTUESIN DHE ISH-KREU I KOMUNËS FARKË
Nisur nga situata e krijuar me pallatin tek Kopshti Botanik, i cili rrezikon të shembet si pasojë e rrëshqitjes së dherave, Bashkia e Tiranës ka proceduar penalisht ndërtuesin e pallatit.

Ndërkaq, procedim penal ka nisur edhe ndaj ish-kreut të Komunës së Farkës, Fatbardh Plaku.

Në kohën kur ishte kryetar i Komunës së Farkës, Fatbardh Plaku, kishte dhënë lejen e ndërtimit për këtë pallat, që tashmë është kthyer në problematike për banorët e zonës.

POLICIA: NË KËRKIM MENAXHERI I NDERTIMIT TE PALLATIT, NUK RESPEKTOI RREGULLAT E NDËRTIMIT
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka deklaruar sot se evaukimi i banorëve të pallatit, i cili rrezikon të shembet, ka nisur që më datë 26. Nga ana tjetër, blutë bëjnë me dije se janë shpërngulur 34 familje në një hotel, ndërsa sot janë evakuuar 7. “Më datë 28.11.2015, në Selitë e Vogël, tek xhamia është hapur një gropë për ndërtimi pallati, e cila nga reshjet e shumta rrezikohet të shembet pallati pranë.

Nga ana e Ministrisë së Brendshme është ngritur gjithashtu shtabi i emergjencës për vlerësime situatës dhe veprimeve të mëtejshme. Policia ka bere evakuimin e 34 familjeve në total, e nisur që në datë 26.11.2015, dhe ditën e sotme është bëre evakuimi i 7 familjeve të fundit, të cilët jetonin në këtë pallat.”, njofton policia.

Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim menaxherin e ndërtimit të këtij pallati. “Gjithashtu është shpallur në kërkim menaxheri i ndërtimit të këtij pallati shtetasi me iniciale B.H, për mos respektim të rregullave të ndërtimit”, citohet në njoftimin e policisë.

KLAJD NIKOLLA: PROBLEMATIKE E TRASHEGUAR NE VITE
Klajd Nikolla, koordinator për emergjencat në Prefekturë deklaroi për News24 se janë marrë të gjitha masat për shpëtimin e jetëve të banorëve të këtij pallati. Ai theksoi se situata tashmë është nën kontroll.

“Nga këndvështrimi i teknikëve, banesat përreth nuk kanë shenja cedimi. Ko është një problematike e trashëguar prej vitesh. Nga ana e Prefekturës së Tiranës janë marrë të gjitha masat. Aktualisht po punojmë dhe do bëjmë një mbledhje urgjencë për të dal në konkluzione se çfarë do bëjmë me këtë zonë. Çdo gjë për momentin është nën kontroll nga ana jonë. Por puna e zotit dhe ajo e motit nuk janë në dorën tonë. Nuk mund të jap përgjigje se pse nuk janë marrë masa më parë. Mund të flas për situatën e tanishme. Firma që ka bërë gropën, ka vënë në dispozicion një hotel për të strehuar banorët e evakuuar.”, tha ai.

(ed.me/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb