TIRANË- Pas Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e territorit, i cili kallëzoi kreun e Bashkisë së Tiranës për dhënien sipas tij në kundërshtim me ligjin të një leje ndërtimi, në Rrugën e Elbasanit, edhe drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”, Zhaneta Beqiri ka denoncuar sot publikisht ngritjen e pallatit ngjitur me këtë institucion. Beqiri kërkoi nga kryebashkiaku Basha mbajtjen e premtimeve për krijimin e hapësirave të gjelbra, ndërsa tha se ky pallat cenon sigurinë e fëmijëve të kësaj shtëpie.

“Jemi të indinjuar për këtë batërdi ndërtimore që po bëhet ngjitur me shtëpinë tonë. Kreu i bashkisë na premtoi më shumë hapësira të gjelbra por lejon një përbindësh të frikshëm të ngrihet pranë nesh. E kujtojmë kreun e bashkisë së Tiranës për premtimet që ka bërë. Ky pallat ngjitur me murin e Shtëpisë së Fëmijës është një ndërtim i frikshëm që prek sigurinë e fëmijëve:, tha Beqiri.

Ndërkohë një ditë më parë edhe Këshilltari i Kryeministrit Edi Rama për Urbanistikën, Artan Shkreli denoncoi këtë pallat duke deklaruar se është jashtë çdo rregulli. Ndërsa Bashkia e Tiranës e cilësoi Shkrelin si karikaturë të Ramës duke nënvizuar faktin se leja e ndërtimit është dhënë konform ligjeve në fuqi për rregullimin e territorit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb