TIRANË- Pas kallëzimit të Inspektoratit kombëtar për mbrojtjen e Territorit ndaj kryebashkiakut Lulzim Basha në terren ka zbritur edhe këshilltari i kryeministrit për Urbanistikën, Artan Shkreli. Duke qëndruar pranë pallatit 11-katësh që ka nisur të ndërtohet në Rrugën e Elbasanit, Shkreli deklaroi para mediave se ky ndërtim nuk respekton kriteret më minimalë për ndërtim. Ndërkohë ka ardhur edhe kundërpërgjigjja e Bashkisë së Tiranës, e cila ka cilësuar Shkrelin “karikaturë pseudointelektuale e Ramës” dhe i ka quajtur deklaratat e tij shpifje.

Ndërkaq këshilltari i Kryeministrit për Urbanistikën më herë e akuzoi kryebashkiakun Basha se me këtë leje “ka vrarë” çdo ekspertizë. “Këtë leje të dhënë nuk ka ekspertizë qe e shpjegon as në bashki dhe nga as një institucion tjetër”, u shpreh Shkreli.

“Sheshi që ndodhet mbrapa shpatullave të mia është një tregues tjetër se si po konsumohet një dramë tjetër në qytetin e Tiranës në vazhdën edhe të dramave të tjera të cilat janë konsumuar edhe më parë. Kemi lajmëruar që në krye të herës se ndërhyrjet që Basha po bën në zonat më sensitive të kryeqytetit, janë ndërhyrje të cilat kanë një karakter destruktiv mbi kryeqytetin. Kjo këtu është një tjetër vilë që humbet kryeqyteti, është një tjetër vilë që humbet “Rruga e Elbasanit”, mbas disa vilave që humbën edhe më përpara. Dhe për çfarë humbet kjo vilë? Për t’i hapur rrugë një ndërtimi 11-katësh, me dy kate nën tokë, 9+2, i cili ndërtohet pikërisht në një zonë me sensibilitet të madh për sa i përket institucioneve edukuese dhe arsimore të vendit. Ndodhet mes Shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” nga njëra anë dhe shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli” nga ana tjetër. Shtëpinë e fëmijës, ky objekt e fundos përfundimisht me lartësinë dhe distancën e tij”, tha Shkreli.

Ai ka akuzuar kryebashkiakun Lulzim Basha se ka shkelur çdo kriter për dhënien e lejes për ndërtimin e një pallati në rrugën e Elbasanit. Këshilltari i kryeministrit për urbanistikën shtoi se ky ndërtim nuk respekton vijën e ndërtimit dhe se ky pallat mbi 9 kate nuk u shërben as banorëve dhe as institucioneve arsimore.

“Objekti nuk respekton asnjë efekt legal, nuk ka largësinë minimale midis godinave, nuk respekton vijën e ndërtimit, shkatërron trashëgimin e kryeqytetit dhe për më tepër prish kordonin arsimor të kësaj zone. Mos harroni që përballë ka institucione të tjera arsimore. Objektet rreth e rrotull janë dy-tre katëshe, ndërsa ky objekt shumëkatësh, është si një hu që ngulet në shpinë të kësaj zone. Kjo tregon që Basha, i cili është një kryetar i avulluar tashmë i Bashkisë së Tiranës ka vrarë keq çdo lloj ekspertize në bashki, aq sa nuk gjendet një specialist apo një teknik i vetëm që t’i tregojë atij se kjo që po ndodh prapa shpinës sonë nuk bën, jo vetëm për trashëgiminë e qytetit, jo vetëm për mësuesit apo nxënësit, por nuk bën as për banorët e Tiranës”.

Por Bashkia e Tiranës në reagimin e saj pretendon se kjo lejë është dhënë në përputhje të plotë me Planin e përgjithshëm vendor dhe se koeficienti i shfrytëzimit të pronës është në masën 40%.

“Shkreli, bashkë-arkitekti i betonizimit të Tiranës i shumë përdoruri sekser dhe i keqpërdoruri serial i ish-kryebashkiakut Rama, zuri vendin e Dallëndyshes së korrupsionit përmbarues dhe krimeve të tjera ndaj qytetarëve, për të cilat po afron dita e gjykimit. Përgjigjen ndaj këtyre shpifjeve banale dhe faktet e plota Bashkia Tiranë i bëri publike dje.  Ndaj sot, kjo karikaturë pseudointelektuale e Ramës dhe kohërave më të trishta të Tiranës meriton vetëm sentencën proverbiale që qytetarët e Tiranës i vunë si epitaf keqqeverisjes korruptive dhe klienteliste dhe masakrës urbane të Ramës. Edikaturisti, edikaturoi një edikaturë edikteristike”, thuhet në reagimin e Bashkisë së Tiranës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb