Në një seancë të Komisionit të Jashtëm të Senatit Amerikan, i dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer shprehu zhgënjimin për mos-hapjen e negociatave nga Bashkimi Evropian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe bëri thirrje për rifillimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne jemi thellësisht të zhgënjyer me dështimin e vendeve anëtare të BE-së për të miratuar hapjen e negociatave për anëtarësimin e me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë javën e kaluar në Bruksel. Megjithëse ne nuk jemi anëtarë të BE-së, jemi dakord me vlerësimin e Komisionit Evropian se të dyja vendet kanë bërë përparim të konsiderueshëm në reforma”, tha zoti Palmer.

Zyrtari i lartë amerikan tha se ky vendim dërgon sinjalin tek vendet e tjera se dera për ne BE është mbyllur, rrezikon gërryerjen e besueshmërisë së BE-së dhe krijon një boshllëk udhëheqjeje që Rusia, Kina dhe të tjerë janë mëse të gatshëm ta mbushin.

Por për zotin Palmer pasojat mund të jenë të ndjeshme edhe për perspektivën e bisedimeve Prishtinë Beograd.
“Vendimi përcjell mesazhin e gabuar tek Beogradi dhe Prishtina dhe mesazhi është: mund të bëni gjëra të vështira, mund të bëni zgjedhje të vështira, mund të arrini kompromis dhe në fund të fundit t’ju mohohet rruga përpara drejt Evropës”.

Palmer tha se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me vendet e Bashkimit Evropian për ta ndryshuar atë mesazh. Në seancë nuk u përmend ndonjë afat për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb