Qëllimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është që Mali i Zi të jetë i qëndrueshëm në rrugën euroatlantike dhe i mbrojtur nga ndikimet e jashtme – tha Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, gjatë një takimi me Presidentin e Malit të Zi Milo Gjukanoviç, i cili takim u zhvillua të mërkurën në Podgoricë.

“Interesi i SHBA është që në partneritet me Bashkimin Europian të kontribuojë në qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor”, tha zoti Palmer.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, vuri në dukje, se vlerëson vëmendjen e kushtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Malin e Zi, si një vend partner në kuadër të NATO-s.

Ai theksoi se marrëdhëniet midis dy vendeve janë në një nivel të lakmueshëm dhe shprehu kënaqësinë për angazhimin e shtuar të SHBA-ve në rajon. Kjo është, siç tha ai, një mënyrë e mirë për të përmirësuar situatën në rajon dhe për të zvogëluar ndikimet e ndryshme që mbartin rrezikun e destabilizimit.

Duke kujtuar rolin e mëparshëm të Shteteve të Bashkuara në këtë fushë, ai shprehu shpresën që edhe këtë herë të jetë mbështetje për rajonin për të ecur drejt qëllimit të anëtarësimit në BE dhe NATO, që garantojnë qëndrueshmërinë si një parakusht për zhvillim të përgjithshëm.

“Mali i Zi do të jetë gjithmonë një partner i vogël, por i besueshëm në kapërcimin e çdo pengese në rrugën drejtë integrimeve. Pushtetet ndryshojnë, por nuk ka dyshim se Mali i Zi do të mbetet në këtë rrugë dhe do të jetë një partner i vlefshëm në promovimin e qëndrueshmërisë dhe vlerave euroatlantike në Ballkanin Perëndimor”, tha zoti Gjukanoviç./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb